Reformat do të lënë pa tekste të reja shkollore nxënësit e klasave të nënta dhe ata të vitit të tretë në arsimin e mesëm
Gazetare: Melihate Rustemi
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se nxënësit e klasës së nëntë në arsimin fillor dhe të vitit të tretë në arsimin e mesëm nuk do të pajisen me tekste të reja shkollore për vitin e ardhshëm shkollor. Sipas Janevskës, mungesa e teksteve lidhet me zbatimin e planit për reformimin e sistemit arsimor, i cili parasheh hartimin e programeve të reja mësimore për këto nivele gjatë vitit të ardhshëm. Janevska tha se pavarësisht disa mungesave, gjatë ditëve në vijim do të nisë shpërndarja e teksteve shkollore për klasat e katërta dhe klasat më të larta në arsimin fillor dhe të mesëm.
“Porositë janë bërë, tekstet shkollore po shtypen për të gjitha lëndët, përfshirë edhe tekstet në të gjitha gjuhët e huaja, të cilat nuk ishin viteve të fundit, ndërsa nga viti i kaluar janë në dispozicion. Përjashtim do të bëjnë tekstet shkollore për klasën e nëntë dhe për vitin e tretë të arsimit të mesëm, sepse në këto klasa, në përputhje me planin etapues për reformimin e sistemit arsimor, është paraparë që vitin e ardhshëm të hartohen programe të reja mësimore dhe, në përputhje me to, edhe tekste të reja shkollore”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se është për të ardhur keq që në kohën e inteligjencës artificiale ende konsiderohet sukses shpërndarja me kohë e teksteve shkollore. Megjithatë, i pyetur për vërejtjet se nxënësit në vend vazhdojnë të mësojnë nga tekste të dëmtuara dhe të përdorura prej shumë vitesh, ai nuk u pajtua me këtë konstatim.
“Nuk do të thosha se është kështu. Kur ne vlerësojmë se cilësia është dëmtuar dhe se tekstet shkollore janë të amortizuara, sigurisht që i rinovojmë dhe shtypim të reja. Kjo qeveri e ka prioritet këtë çështje, ndryshe nga qeveria e mëparshme, e cila i linte nxënësit pa tekste shkollore deri në fund të gjysmëvjetorit. Prandaj, po i zgjidhim problemet e trashëguara nga katastrofa e BDI-së dhe LSDM-së”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga dikasteri i Arsimit informuan se shpërndarja e teksteve shkollore për nxënësit e klasave të para deri në të treta ka nisur që në muajt prill dhe maj. Deri më tani janë dorëzuar rreth 250.000 tekste shkollore për nxënësit e ciklit të ulët, ndërsa në total parashikohet të shpërndahen rreth një milion e gjysmë kopje në të gjithë vendin.








