Pa staf të mjaftueshëm, Klinika e Fëmijëve riorganizon ndërrimet dhe kujdestaritë
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Pas largimit të 50 të punësuarve, Klinika për Sëmundje të Fëmijëve po përballet me vështirësi në organizimin e ndërrimeve dhe kujdestarive, duke detyruar menaxhmentin të bashkojë përkohësisht repartet e Imunologjisë dhe Pulmologjisë . Sipas sistematizimit, Klinikës së Fëmijëve i mungojnë rreth 100 punonjës, duke e vënë institucionin përballë një sfide të vazhdueshme për sigurimin e stafit të nevojshëm.
“Po, nga e premtja e kaluar, pasi me motrën kryesore nuk mundeshim në asnjë mënyrë të organizojmë punën e ndërrimeve, apo orarin e kujdestarive. Ishim të detyruar që përkohësisht të bëjmë bashkimin e dy reparteve, në mënyrë që të kemi në dispozicion infermiere qe do të mbulojnë kujdestaritë, pra repartin e Imunologjisë dhe Pulmologjisë A. Kjo është një zgjidhje e përkohshme që ta mbulojmë këtë periudhë kur nuk kemi numër të mjaftueshëm të kuadrit”, deklaroi drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi
Edhe stafi aktual nuk është plotësisht i angazhuar në proces, pasi një pjesë e punonjësve nuk mund të mbajnë kujdestari, ndërsa të tjerë janë në prag të pensionimit. Ndërkohë, çdo vit nga Klinika e Fëmijëve dalin në pension rreth 18 deri në 20 punonjës, duke e thelluar më tej mungesën e kuadrit.
“Nga 144 motra medicinale që janë me vendime, 25 prej tyre janë të moshës mbi 60 vjeçare që d.m.th sivjet dhe në mot ata shkojnë në pension. 15 motra medicinale janë të moshës mbi 57 vjeçare që me ligj janë të liruara nga kujdestaritë, 11 motra medicinale punojnë me orare të shkurtuar me vendim nga institucionet përkatëse dhe të gjitha këta 51 motra medicinale nuk mund të mbajnë kujdestari janë të liruara me ligj” deklaroi drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi
Për 50 ish të punësuarit në klinikë, të cilët prej muajsh kanë mbetur pa punë, drejtori theksoi se të gjitha procedurat për vazhdimin e kontratave janë kryer me kohë nga ana e tij dhe se Ministria e Financave ka qenë e informuar në kohë për nevojën e klinikës për vazhdimin e tyre. Megjithatë Ministrja e Financave një ditë më parë e akuzoi drejtorin se ai është përgjegjës për situatë.








