Reporterët pa Kufij: Maqedonia e Veriut shënoi regres për 6 vende, krahasuar me vitin e kaluar

Reporterët pa Kufij: Maqedonia e Veriut shënoi regres për 6 vende, krahasuar me vitin e kaluar

Gazetar: Suad Bajrami

Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 42-të nga gjithsej 180 shtete të botës në Indeksin për lirinë e mediave të Reporterëve pa Kufij. Megjithatë, kjo për Maqedoninë paraqet regres prej 6 vendesh krahasuar me vitin e kaluar kur shteti mbante pozitën e 36-të. Maqedonia përfshihet në grupin e vendeve ku situata me lirinë e mediave është e “kënaqshme”. Në këtë grup, janë vetëm dy vende të rajonit, respektivisht Sllovenia, e cila ndodhet në 33-të dhe Mali i Zi në vendin e 37-të.

Në vlerësimin për Maqedoninë e Veriut thuhet se gazetarët janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa zyrtarët qeveritar kanë qëndrim negativ ndaj tyre.

“Edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, dezinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, gjë që i ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Për më tepër, zyrtarët qeveritarë kanë tendencë të kenë qëndrime të këqija dhe poshtëruese ndaj gazetarëve”, thuhet në raportin e Reporterët pa Kufij.
Kategorizimin e vendeve ndaj lirisë së mediave, Reporterët pa Kufij e bëjnë në bazë të pesë indikatorëve, respektivisht atë politik, ekonomik, legjislativ, social dhe të sigurisë.

Nga vendet e rajonit më keq është e renditur Kosova, respektivisht në vendin e 99-të, e ndjekur nga Serbia në vendin e 96, pastaj Bosnja dhe Hercegovina 86, Shqipëria 80, ndërsa Bullgaria mban vendin e 70-të.

Vendin e parë në listë, tanimë për nëntë vite me radhë e mban Norvegjia, e cila vlerësohet si vendi më i lirë në botë për gazetarët. Vendin e dytë e ka Estonia, e ndjekur nga Holanda, ndërsa më pas vijnë Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Irlanda. Si vende më të mbyllura dhe të rrezikshme për gazetarët janë Afganistani, Irani, Siria, Kina, Korea e Veriut dhe Eritrea./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button