Gazetar: Suad Bajrami
Edhe pse në periudhën prej vitit 2016 deri në vitin 2024 Maqedonia e Veriut ka shpenzuar 143 milionë euro për ndërtimet e tre gazsjellësve magjistral, ato ende nuk janë vënë në funksion, pasi nuk janë zgjidhur çështjet pronësore juridike gjatë shpronësimit të tokave. Ky është konstatimi i Entit Shtetëror të Revizionit i cili ka dhënë mendim negativ për raportet financiare dhe të harmonizimit ligjor për vitin 2024 lidhur me punën e Shoqërisë Aksionare “NOMAGAS” që merret me veprimtarinë energjetike, përçimin e gazit natyror. Në vitin kur është kryer auditimi, deri më 20 gusht në krye të institucionit ka qenë Bajram Rexhepi, ndërsa prej 21 gushtit, Muhamed Elmazi.
“Raportet financiare nuk tregojnë vërtetësi dhe objektivitet, në të gjitha aspektet materiale, gjendjen financiare të NOMAGAS në ditën 31 dhjetor 2024, por edhe suksesin financiar dhe rrjedhat e parave për vitin që mbaron me atë datë. Transaksionet dhe informatat financiare, të reflektuara në raportet financiare të NOMAGAS për vitin 2024, nuk janë në pajtueshmëri me rregullativën ligjore, rregulloret dhe politikat e vendosura”, thuhet nga Enti Shtetëror i Revizioni.
Revizorët, gjithashtu kanë konstatuar edhe parregullsi të tjera lidhur me menaxhimin e pronës dhe evidencën e kapitalit. Gypat dhe gjësendet që po i shihni janë vetëm një pjesë e materialeve rezervë të cilat vendi i ka furnizuar në vitin 2019-të për gazifikimin e vendit. Megjithatë, shumica e materialeve që shtetit i kanë kushtuar mbi 4.3 milionë euro, nuk janë vënë në funksion për pesë vite.
“Pjesa më e madhe ose mbi 80% e rezervave janë prej para vitit 2019 dhe janë furnizuar nga ana e GA-MA, të njëjtat nuk janë përdorur deri në fund të vitit 2024, me çka vihet në pikëpyetje nevoja për furnizimet e tyre, por edhe mundësia që të njëjtat të vjetërsohen… Rezervat nëpër magazina nuk janë ruajtur në mënyrë të rregullt, nuk janë shenjëzuar me shifra dhe kartela për lëvizjen e sasive gjatë pranimit dhe dorëzimit, për çka nuk është mundësuar konstatimi i gjendjes aktuale. Pranimin e rezervave, por edhe përdorimin e tyre e kryen një i punësuar, që nuk ka autorizim”, thonë tutje nga Enti Shtetëror i Revizioni.
Revizorët gjithashtu kanë konstatuar parregullsi lidhur me tenderët, llogaritjen e rrogave, mungesën e planit për zhvillimin e transmetimit të gazit natyror, por edhe mungesën e raporteve tremujore të Bordit të Drejtorëve për punën e NOMAGAS./ Alsat.mk








