Rihanna mbështet A$AP Rockyn në gjykatë
Rihanna mbështet A$AP Rockyn në gjykatë

Këngëtarja e njohur Rihanna ka shprehur mbështetje të fortë për partnerin e saj, reperin A$AP Rocky, duke u shfaqur në gjykatën e Los Angeles për herë të parë që nga fillimi i procesit të tij gjyqësor.
Rihanna u pa më 29 janar në Clara Shortridge Foltz Criminal Justice Center, ku Rocky po gjykohet mbi akuzat se ka qëlluar me një armë automatike ndaj ish-mikut të tij, A$AP Relli, gjatë një përleshjeje në nëntor të vitit 2021.
Revista “People” ka raportuar se kjo ishte hera e parë që Rihanna, 36 vjeçe, u shfaq publikisht në mbështetje të partnerit të saj, A$AP Rocky, gjithashtu 36 vjeç, që nga fillimi i këtij procesi ligjor. Pjesëmarrja e saj erdhi disa orë pas një daljeje të përbashkët të çiftit për një natë romantike në Los Angeles.
Rocky ka refuzuar një marrëveshje për pranimin e fajit që do t’i sillte një dënim me 180 ditë burg. Ai ka vendosur ta vazhdojë rastin në gjyq me juri, duke mohuar akuzat për sulmin me armë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri 24 vjet burgim.
Prokuroria ka thënë se Relli kishte shkuar në mbrëmjen e përleshjes duke menduar se do të diskutonte me Rockyn dhe se kjo do të “rregullonte marrëdhënien” mes tyre. Sipas akuzës, gjatë përleshjes, Rocky ka shkrepur me armë dhe një plumb e ka goditur Rellin në dorë.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Rockyt pretendon se ai ka mbajtur një armë vetëm për t’i frikësuar kërcënuesit e mundshëm dhe se ai ka leje për ta mbajtur atë armë në Kaliforni.
Avokati i Rockyt, Joe Tacopina, ka thënë se “për Rellin, kjo nuk është çështje drejtësie… kjo ka të bëjë me një njeri që kërkon përfitim nga një histori e sajuar dhe se Rocky nuk ka asgjë për të fshehur”.
Në sallën e gjyqit, Rihanna ka hyrë në mënyrë të fshehtë, duke përdorur një derë anësore, ndërsa Rocky, ekipi i tij ligjor dhe familja kanë hyrë nga hyrja kryesore.
Rihanna ishte e veshur me një pallto të zezë të gjatë, kishte stoli ari dhe një çantë të zezë, ndërsa ka mbajtur syze të zeza gjatë seancës.
Gjatë dëshmive, Rihanna ka qëndruar e qetë dhe pa emocione të dukshme, përveçse ka lëvizur herë pas here në vendin e saj, por ka mbajtur gjithmonë vëmendjen. Kur është bërë pauza e parë, ajo është ngritur, por menjëherë është ulur përsëri. Pas përfundimit të seancës, Rihanna ka biseduar me nënën dhe motrën e Rockyt dhe është larguar në heshtje.