Rikonstruimi / LSDM-ja kritikon: Qeveria s’ka kapacitet dhe as dëshirë për ndryshime e rritje ekonomike
Gazetar: Fatlume Dervishi
LSDM-ja kritikon emrat e rinj që do të bëhen pjesë e kabinetit qeveritar. Opozita madje ngre pyetje për aftësinë dhe kualifikimet e tyre.
“Nga ky rikonstruim do të shohim vetëm emra të rinj. Shtrohet pyetja a i plotësojnë kriteret emrat që propozohen, a janë të kualifikuar për pozitat që propozohen. Nga kjo qeveri përsëri qytetarët nuk do të shohin asgjë, përsëri një “zero” e madhe”, tha kreu i LSDM-së Venko Filipçe.
As kabineti i ri që do të formohet pas rikonstruimit, opozitës nuk i jep shpresa për përmirësimin e situatës ekonomike në vend.
“Konfirmohet ajo që thamë se nga kjo qeveri nuk mund të pritet asgjë. Në këto dy vite, e vetmja gjë me të cilën jemi përballur është rritje e varfërisë, asnjë rritje e pagave, as e pagës minimale, as e pagës mesatare, rritje e lartë e shpenzimeve për të cilën nuk ka ndërmarrë asgjë për t’i vënë në kontroll dhe njerëzit nuk mund t’i menaxhojnë më, kanë rënë investimet për 6%, kanë rënë prodhimet industriale. D.m.th. ekonomia shkon jashtëzakonisht tatëpjetë. Kjo qeveri nuk ka aftësi dhe kapacitet por as dëshirë që ta kontrollojë”, shtoi Filipçe.








