Rikonstruimi / VLEN, resorë me më pak peshë politike e buxhetore
Gazetare: Fatlume Dervishi
Numri i pozitave në kabinetin qeveritar që fitoi VLEN me rikonstruimin është i njëjtë por jo edhe pesha e tyre. VLEN-i do të drejtojë Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, post në të cilin tani është Ivan Stoillkoviq. Kandidati i tyre për këtë pozitë, siç mëson Alsat jozyrtarisht është Agon Ferati megjithatë Ferati nuk do të jetë edhe zv.kryeministër, ashtu siç ishte Stoillkoviq. Këtë e bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë kur gjithashtu njoftoi se pozita e zv.kryeministrit për qeverisje të mirë, në të cilën deri tani ishte Arben Fetai nuk do të ekzistojë më. Më këto dy ndryshime kabineti qeveritar do të ketë dy zv.kryeministra më pak por numër të njëjtë të anëtarëve të qeverisë. Ivan Stoillkoviq, nga ana tjetër, do të bëhet ministër i Vetëqeverisjes Lokale kurse ministri aktual në këtë dikaster Zllatko Perinski do të bëhet drejtor i Fondit Shëndetësor.
VLEN-i mori Drejtësinë të cilën pritet ta drejtojë profesori Jeton Shasivari, por humbi Politikën Sociale, e cila kaloi në duart e VMRO-së dhe do të drejtohet nga zv.ministri aktual Gjoko Vellkovski. Me këtë veprim largohet Fatmir Limani, i cili nuk do të jetë më pjesë e qeverisë. VLEN po ashtu humbi një dikaster tjetër në të cilin është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe i cili ka ndër buxhetet më të larta, Shëndetësinë. Azir Aliu do të zëvendësohet me kuadër të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht me drejtorin aktual të Fondit për Sigurim Shëndetësor Sasho Klekovski. Në këmbim të Shëndetësisë, VLEN mori Kulturën në të cilën ministër jozyrtarisht do të jetë Sedat Sulejmani.
Të pandryshuar do të mbeten kuadrot e VLEN-it në Eurointegrime, Ekologji dhe Ekonomi, gjegjësisht Bekim Sali, Muhamet Hoxha dhe Besar Durmishi.
Emrat e ministrave të rinj të VLEN-it pritet të konfirmohen brenda ditës kurse kryeministri Mickoski është i njoftuar me propozimet.
“Bisedimet ende vazhdojnë. Jemi në finalizim, në përfundim të resorëve. Ato resorë që janë të ndryshuar me partnerët e koalicioni tashmë dihen. VLEN do të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë për Sistem Politik”, tha Besar Durmishi, nga VLEN.
“Për mua ata propozime janë plotësisht në rregull dhe pres të kemi punë të suksesshme me përbërjen e re të qeverisë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Partnerit tjetër të koalicionit, ZNAM-it, i merret Ministria e Drejtësisë, i jepet dikasteri i Bujqësisë të cilin do ta drejtojë Borçe Serafimovski. Goran Minçev nga ZNAM mbetet edhe më tej ministër i Administratës.
VMRO-ja, nga radhët e veta, ndryshon edhe ministrin pa resor i angazhuar për zbatimin e strategjisë për integrimin e romëve. Ai do të jetë Erxhan Demiri.
Koalicionit të VMRO-së i shtohet edhe Partia Demokratike Turke e cila po ashtu do të marrë një ministër pa resor. Me këtë VMRO-ja bashkë me koalicionin do të ketë 15 anëtarë në kabinetin qeveritar dhe plus kryeministrin. Ajo do të drejtojë të gjithë resorët më të rëndësishëm dhe me më shumë buxhet, Transportin, MPB-në, Financat, Energjetikën, Shëndetësinë, Pilitikën Sociale dhe Arsimin.
Për t’ju shmangur procesit të votimit të një kabineti të plotë, Mickoski ka zgjedhur që fillimisht të mos ndryshojë më shumë se një të tretën e kabinetit.
“Lista do të duhet të jetë atje deri të premten. Fillimisht do të shkojmë me ndryshim të tetë ministrive dhe pastaj edhe të një ministri dhe ai është propozimi nga Partia Demokratike Turke i cili futet si partner direkt i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit dhe jo si partner i veçantë në qeveri”, deklaroi një ditë më parë kryeministri Mickoski.
Pozitat e zv.ministrave që mbeten boshe pritet të plotësohen nga shtatori.








