Rikonstruimi / Reagojnë ministrat që do të largohen

Gazetar: Fatlume Dervishi

Një ditë pasi kryeministri zbardhi emrat e ministrave të rinj ose resorët që prek rikonstruimi, reaguan disa prej ministrave aktual që do të duhet të lëshojnë pozitat e tyre. Ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani, për të cilin prej muajsh ka pasur polemika mes partnerëve të koalicionit, me VLEN-in nga njëra anë që nuk i qëndronte më pas dhe me kryeministrin Mickoski nga ana tjetër që e mbronte, në rrjetet sociale shkruan se kjo është një ndalesë për të mbledhur energji. Vendin e tij e zen zëvendësi aktual Gjoko Vellkovski.

“Atleti i maratonës është i vetëdijshëm që ndalesat janë vetëm për të shuar etjen dhe për të marrë energji për etapën tjetër. Nisur nga kjo duhet që të gjithë të kuptojnë që, s’do të arrijë askush të më diktojë, urdhërojë apo detyrojë se cilët do të jenë bashkëpunëtorët e mi në rrugëtimin drejt qëllimit që është dhe mbetet: punë deri në vetëflijim që Rinia të mbetet në vendlindje. Në jetë, edhe në politikë, ka momente kur mendohet se kapitulli përfundoi, por harrojnë se për të përkushtuarit pikërisht aty fillon një kapitull i ri”, shkroi në rrjetet sociale ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani. 

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu i cili do të zëvendësohet nga drejtori aktual i Fondit Shëndetësor Sasho Klekovski, tha se nuk do të pensionohet por do të vazhdojë të kontribuojë në mënyra të ndryshme, duke nënkuptuar se e len të hapur mundësinë e emërimit në ndonjë post tjetër.

“Unë do të vazhdoj të sjell vlera në shoqërinë tonë sepse thellë besoj se secili prej nesh, përfshirë edhe ju, dhe të gjithë qytetarët e kemi për detyrë të japim kontributin tonë në lagje, në qytet, në shtet, dhe unë do të vazhdoj aty ku ka nevojë shteti që të jap më të mirën që di. Unë jam profesor universitar dhe kam përvojë 25 vjeçare. Tani jam i fokusuar si ministër deri në momentin e pranim-dorëzimit dhe pastaj do të informoheni sepse nuk e kam në plan të pensionohem dhe të shëtis nëpër vende të huaja ose nëpër parqe por planifikoj të kontribuoj në shoqëri”, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. 

Deri tani nuk është prononcuar Igor Fillkov, i cili po ashtu përshëndetet nga posti. Ai është një nga ministrat më kontravers për shkak të mbylljes ndaj mediave dhe polemikave për provimin e jurisprudencës. Në vendin e tij do të vijë Jeton Shasivari, si kuadër i VLEN-it.

LEXO EDHE:

Back to top button