Gazetare: Andrea Cobanova
Rishikimi i buxhetit do të sigurojë një ekonomi të qëndrueshme në vend, dhe një dalje nga kriza energjetike. Kjo është pjesë e prezantimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, në ditën e parë të debatit plenar për propozimin mbi rishikimin e buxhetit, për këtë vit.
Në një sallë gjysmë boshe, deputetët nisën debatin pesëditor për ristrukturimin e ri të arkës së shtetit.
“Ky rishikim buxhetor do të ndihmojë ekonominë të përballet me krizën energjetike dhe inflacionin, por gjithashtu do të ofrojë mundësi për zhvillim të qëndrueshëm të shtetit, dhe gjithashtu do të sigurojë stabilitet ekonomik”, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave.
Partitë opozitare me një sërë kritikash. Investime të ulëta kapitale, huamarrje të panevojshme, rritje të shpenzimeve joproduktive në vend të uljes, janë disa nga vërejtjet e partive opozitare.
“Ne kemi inflacionin më të lartë rekord me 14.5 për qind, borxh më të lartë publik në historinë tonë, shpërthim i çmimeve të produkteve ushqimore bazë, çmimet treshifrore të karburanteve, energjia elektrike që po rritet për gjashtë muaj, pagat më të ulëta, rritja më e ulët, e megjithatë koalicioni më i pasur qeveritar”, u shpreh Bojan Stojanovski- deputet i VMRO-DPMNE-së.
“I nderuar ministër, vërejtja ime është se në fillim thatë, se njëra nga shkaqet të rebalancit është ruajtja e stabilitetit financiar, sepse kemi rritje të të ardhurave, dhe këto të ardhura janë rezultat i rritjes së çmimeve, dhe ne propozuam të kemi ulje të akcizës së derivateve, dhe ju këtë nuk e pranuat”, theksoi Elmi Aziri-Deputet nga Aleanca për Shqiptarët.
Me rishikimin e buxhetit, qeveria i shkurtoi investimet kapitale për gati 100 milionë euro. Një pjesë e tyre, 76 milionë do të përdoren për masat kundër krizës, ndërsa pjesa tjetër për rritjen e dakorduar të pagave në arsim dhe për pensionet më të larta nga shtatori./ Alsat.mk








