Risocializimi i të kthyerve nga luftërat, i vështirë

Shteti nuk e ka prioritet risocializimin e shtetasve të posa kthyer nga kampet e ish vatrave të luftës në Siri dhe Irak. Sipas autoriteteve përkatëse fillimisht duhet të hetohen për rrezikun potencial që mund të bartin dhe përfshirjen e mundshme të tyre në vepra kriminale në organizatën terroriste ISIS.

Në periudhën që pason shërbimet janë duke punuar për sigurimin e dëshmive materiale mbi përfshirjet e mundshme në vepra kriminale, veçanërisht për çdo person – thonë nga Komiteti për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit.

Por, çfarë në fakt përmban plani i risocializimit i hartuar nga Komiteti për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit. Sipas këtij organi që zbaton strategjinë e ekzekutivit grupeve të riatdhesuara fillimisht u ofrohet ndihmë psikologjike dhe mjekësore. Pastaj ndihmë juridike në rast se janë të dyshuar për elemente të strukturave për terrorizëm. Dhe në fazën e tretë u ofrohet ndihma ekonomike dhe procesi i risocializimit nga Qendrat e Punës Sociale. Kryetarja e Organizatës Joqeveritare “Neksus-Koncepti qytetar” Afrodita Musliu, thekson se risocializimi i të kthyerve nga vatrat e luftës është mëse i domosdoshëm me qëllim të mos përsëritjes së veprës.

Para se të fillojë risocializimi i kësaj kategorie të personave, këta njerëz së pari duhet të rehabilitohen sepse koha e kaluar atje dhe mënyra e jetës në ato mjedise në mënyrë të pashmangshme çojnë në gjendje të caktuara post-traumatike. Që këta njerëz të jenë në gjendje të përballen më lehtë në mjedisin e tyre, fillimisht duhet të arsimohen në mënyrë shtesë dhe të fitojnë formimin e duhur profesional, përmes të cilit do të fitojnë vetëbesim dhe do të jenë në gjendje të jenë konkurrues në tregun e punës gjegjësisht të gjejnë punë ose të jenë të vetëpunësuar. Nëse këto procese nuk realizohen, recidivizmi ose procesi i përsëritjes së akteve të tilla ose të ngjashme, është i mundur – u shpreh Afrodita Musliu, Kryetare e OJQ “NEKSUS – Koncepti qytetar”.

Sociologët thonë se gratë dhe fëmijët duhet të shihen si viktima që kanë nevojë për kthim në normalitet.

Mendoj se problemet e tyre personale i kanë pasur qysh më herët. Mbase disa persona që i njohim ne kanë qenë si tipa inferior në këtë shoqëri dhe nuk kanë mundur të adaptohen. Ka pasur disa shoqata që i kanë nxitur dhe rekrutuar duke u bërë viktima jo të pafajësisë së plotë të tyre por të naivitetit të tyre – deklaroi Besnik Mehmeti, Sociolog.

Një ditë më parë nga Iraku dhe Siria u riatdhesuan 23 shtetas të Maqedonisë së Veriut. 4 burra janë në paraburgim në Shutkë të dyshuar për pjesëmarrje në luftëra jashtë vendit, ndaj të cilëve paraprakisht kishte flet arrest ndërkombëtar. 5 gra dhe 14 fëmijë po mbahen në karantinë dyjavore si masë anti-kovid. Deri në shtator të vitit 2020, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 150 shtetas pjesëmarrës në luftërat e Lindjes së Mesme. 80 prej tyre janë kthyer, rreth 40 kanë humbur jetën në konfliktet e armatosura, ndërsa 30 gjenden akoma në territoret dhe zonat e luftërave.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button