Rose Byrne zbulon si ishte Brad Pitt në sheshxhirimin e filmit “Troy”

Rose Byrne zbulon si ishte Brad Pitt në sheshxhirimin e filmit “Troy”

Aktorja amerikane Rose Byrne ka folur së fundmi për përvojën e saj në filmin epik të vitit 2004 “Troy”, duke zbuluar detaje interesante nga bashkëpunimi me aktorin e famshëm Brad Pitt.

Në një intervistë për revistën W, Byrne ka reflektuar mbi karrierën e saj dhe rolet që e kanë sfiduar më shumë artistikisht. Ajo foli edhe për filmin e saj më të ri dramatik “If I Had Legs I’d Kick You”, duke e përshkruar përvojën si “të frikshme, emocionuese dhe radikale”, por edhe si një mundësi të rëndësishme krijuese.

Megjithatë, Byrne theksoi se nuk e nisi karrierën në komedi, siç e percepton shpesh publiku sot. Roli i saj i parë i madh ishte ai i Briseis në filmin “Troy”, një adaptim kinematografik i “Iliadës” së Homerit, ku Brad Pitt luante rolin e Akilit.

“Nuk fillova në komedi. Luajta rolin kryesor në ‘Troy’, filmin e Brad Pitt-it. Ishte një produksion shumë serioz, me shpata dhe sandale. Brad Pitt ishte shumë i ëmbël,” tha Byrne.

Në film, Byrne interpreton Briseis, një princeshë trojane dhe priftëreshë e Apollonit, e cila kapet rob nga grekët dhe më pas bie në dashuri me Akilin. “Troy” u prit me kritika të përziera, por pati sukses të madh komercial, duke arkëtuar mbi 490 milionë dollarë në mbarë botën.

Ndërkohë, emri i Brad Pitt është përmendur së fundmi edhe në një rast mashtrimi që ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Një pensioniste nga Zvicra ka rënë viktimë e një mashtrimi online, duke besuar se ishte në një lidhje me aktorin. Ajo i ka transferuar mashtruesve afro 100 mijë dollarë dhe ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, ku kaloi disa javë duke pritur që aktori të shfaqej.

Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi rreziqet e mashtrimeve në rrjetet sociale dhe përdorimin e identiteteve të personazheve të famshëm për qëllime kriminale.

LEXO EDHE:

Back to top button