Rreth 1.200 persona me simptoma helmimi në Gostivar

Gazetar:Bashkim Sulejmani

Për katër ditë rreth 1.200 persona i janë drejtuar Klinikës Infektives dhe Spitalit të Gostivarit me simptoma të marramendjes, diare dhe dhimbjeve të forta në bark. Dyshimet e para janë se helmimi mund të ketë ardhur nga uji, por nuk përjashtohet edhe mundësia e helmimit nga konsumimi i ndonjë ushqimi. Ky intensitet sot kishte rënë, por edhe më tej kishte persona që vinin në infektiven e Gostivarit me këto ankesa.

Barku më dhemb, të vjella kam plogështi lodhe të madhe. Ka katër dit që jam kështu”, tha një banore e Gostivarit.

“Simptomat janë të njëjta por me ujin se di, mund të ketë pirë ndoshta ndonjë limunadë sepse ne e blejmë ujin”, u shpreh një gostivaras.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit tha se pas kësaj situate alarmante është njoftuar edhe Instututi i Shëndetit Publik.

Tre katër ditët e fundit kemi fluks të shtuar të pacientëve dhe një pjesë janë trajtuar në pediatri, një pjesë në urgjencë dhe një pjesë në infektiv. Në total kemi diku për tre katër ditë 1.100 pacientë, me simptoma si temperaturë, diare, dhimbje barku vjellje dhe plogshti”, deklaroi Emri Bajrami drejtor i Spitalit të Gostivarit.
Instituti i Shëndetit Publik po e heton rastin.

Kemi marrë shembuj nga uji, ushqimet dhe po bëhen analizat por nga mostra që morëm javën e shkuar uji ishte në rregull. Por duhet të kalojnë 48 orë që të dalin rezultatet mikrobiologjike të ujit”, deklaroi Beron Mustafa specialist i higjienës publike.

Dyshimet e para, sipas Prokurorisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme janë se helmimi mund të ketë ardhur nga uji i pijshëm, ndërsa për këtë hetojnë Ndërmarrjen Publike të Gostivarit, e cila para ca ditësh, për të testuar sistemin e ri të ujit, ka futur një kanal të jashtëm uji në sistemin e ujit për pije. Por ndërmarrja publike mohon se uji ka qenë i ndotur.

Ajo ka qenë vetëm për simulim dhe pompat nuk janë në funksion dhe për momentin nuk e përdorim ujin e kanalit në ujin për pije vetëm një periudhë u bë ajo kur deshëm ta testojmë projektin e ri që duam ta vendojmë në funksion nëse do ketë sukses apo jo. Ka pas njoftim kur është bë simulimi dhe kjo është e gjitha, uji nuk është përdor për pije”, tha për Alsat, Artana Asani, Drejtoreshë e NPK “Komunalec” Gostivar

Gazetari: A mund të na thoni çka nënkuptoni me ujin e kanalit çfarë kanali është?
“Ujë teknik është”, deklaoi Asani.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë ndaluar për pije ujin e sistemit në Gostivar deri në daljen e rezultateve.

Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV-ja ka nxjerrë ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm deri në marrjen e rezultateve nga testimi laboratorik, me të cilat do të konfirmohet siguria e tij”, njoftojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Nga ana tjetër, edhe prokuroria e Gostivarit, po kryen hetime për këtë kyçje të ujit teknik në sistemin e ujit në Gostivar, nën dyshimin e bazuar se mund të ketë qenë uji i kontaminuar. Kryeprokurori Nenad Savevski ka konfirmuar se organi i akuzës është duke hetuar, por ka theksuar se akoma është herët për ta kualifikuar rastin pasi duhet grumbullohen analizat laboratorike të ujit, raporti i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari dhe ai i Institutit të Shëndetit Publik./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button