​Rreth 30 persona të shpëtuar nga fabrika e çelikut vendosin të qëndrojnë në Mariupol

Një numër i vogël njerëzish të evakuuar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol zgjodhën të mos largoheshin nga qyteti, sipas shefes humanitare të OKB-së në Ukrainë.

Rreth 30 persona u “tmerruan” nga shkatërrimi total dhe fillimisht donin të zbulonin nëse të dashurit e tyre ishin ende gjallë, tha Osnat Lubrani.

“Këta janë njerëz që kanë jetuar jetën e tyre dhe kanë punuar në Mariupol dhe kështu ishte e vështirë për ta të largoheshin pa e ditur se cili është fati i të dashurve të tyre,” tha ajo.

Rreth 100 njerëz u evakuuan nga fabrika e çelikut dhe më në fund arritën në qytetin e afërt të Zaporizhzhia.

Lubrani tha se ka ende civilë të bllokuar në kompleks, por OKB-ja nuk ka asnjë numër.

“Disa prej tyre mund të kenë pasur frikë të dilnin, disa prej tyre ndoshta nuk ia dolën dot”, tha ajo.

Disa nga të moshuarit që qëndronin në kompleks mezi ecnin dhe është një “zonë e madhe”, shtoi ajo.

Megjithatë, ajo shpresonte se evakuimi i suksesshëm do të inkurajonte më shumë civilë të dilnin përpara për t’u evakuuar nëse një operacion tjetër arrin të vazhdojë.

Elina Tsybulchenko është njëra nga personat e evakuuar. Ajo tregon për tmerrin e përjetuar në Mariupol.

“Nuk mund ta imagjinoni se sa e frikshme është kur uleni në strehë, në një bodrum të lagësht, i cili dridhet. Çdo natë shkonim për të fjetur dhe mendonim nëse do të mbijetonim dhe do të zgjoheshim – ishte e mundur që të mos zgjoheshim fare. Ne po i luteshim Zotit që raketat të fluturonin mbi strehën tonë, sepse nëse do të godiste strehën, të gjithë ne do të kishim mbaruar”, tha ajo.

Tsybulchenko tha se kur ishte në gjendje të dilte jashtë, ajo pa kratere me diametër 15 metra të lënë nga sulmet ruse, transmeton Sky News.

LEXO EDHE:

Back to top button