Rriten shpenzimet për pushimet mjekësore dhe të lehonisë, evidentohen edhe keqpërdorime
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Rritja e shpenzimeve për pushimet mjekësore dhe të lehonisë në vitin 2025 ka rënduar buxhetin e sistemit shëndetësor. Gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 6.1 miliardë denarë, prej të cilave rreth 2 miliardë për pushime mjekësore dhe mbi 4 miliardë për lehoni. Janë evidentuar edhe keqpërdorime, sidomos në sektorin publik si policia, mbrojtja, doganat dhe shëndetësia.
“Kemi një kërkesë të madhe nga Ministria e Mbrojtjes për kontrolle. Sigurisht me kontrollet vazhdojmë, njëkohësisht i sistematizojmë problemet, kemi grup punues për ndryshime në rregulloren për pushime mjekësore dhe po bëjmë analiza ku janë lëshimet ku mund të përmirësojmë dhe këtë duam ta bëjmë në një proces konsultativ”, deklaroi, drejtor i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski.
Klekovski gjithashtu theksoi se është duke u shqyrtuar mundësia për rritjen e pushimit të lehonave në 12 muaj, për shkak të komplikimeve që mund të kenë gratë shtatzëna para dhe pas lindjes.
“Pjesë e analizave janë edhe shqyrtimi i 6 diagnozave si kërcënimi nga aborti, shtatzënia patologjike ose kujdes për një anëtar të familjes. Përpiqemi që përmes analizave të shohim se sa janë të lidhura pushimet para lindjes dhe mbas lindjes me të njëjtin proces, procesin e shtatzënisë apo të pasurit fëmijë. Në varësi të kësaj mund të shohim se si mund ta përmirësojmë mekanizmin, pasi nëse ka pushime të shpeshta para dhe pas lindjes, sipas meje duhet të ketë ndryshime sistematike”, theksoi Sasho Klekovski, drejtor i Fonidt Shëndetësor
Sipas Klekovskit, zgjatja e pushimit të lehonisë duhet të bëhet në koordinim me institucionet përkatëse, pasi një vendim i tillë mund të ketë edhe implikime financiare. /Alsat.mk








