Gazetare: Vjollca Aliti
Gjatë muajit mars në vend janë regjistruar 32 raste të të infektuarve me zgjebe shpalos raporti zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup dhe në Kumanovë tek moshat e fëmijëve shkollor. Megjithatë, autoritetet thonë se ky numër nuk jep arsye për panikë te qytetarët. Që nga janari deri në mars, numri i të prekurve nga kjo sëmundje ngjitëse ka qenë 70.
“Zgjebja është sëmundje parazitale që përhapet në grup. Kryesisht përhapet nga mos higjiena duke filluar nga duart, nga kontakti me rastet pozitive nga afër. Nuk është ndonjë problem pasi numri është i vogël por rekomandohet që mësimdhënësit të kenë kujdes me rastet të cilat do paraqiten nëpër shkollat, t’i udhëzojnë dhe t’i kontrollojnë”, deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.
Pos zgjebes, për momentin në vend më e përhapur është sëmundja infektive lija e dhenëve , ndërsa pas saj sëmundja e enterokolitit.
“Gjatë muajit mars, sëmundja ngjitëse më e shpeshtë e cila është regjistruar është lija e dhenve me gjithsej 911 të infektuar. Në krahasim me muajin shkurt 2023, vërehet një rritje e rasteve për 30,1%. Vendin e dytë sipas numrit të të regjistruarve në muajin mars janë të prekurit me enrokolite me 168 raste. Në krahasim me muajin shkurt, është shënuar rritje e rasteve me enterokolit për 52,7%”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Në tabelën mujore të Institutit të Shëndetit Publik, ndër sëmundje të tjera infektive të cilat janë regjistruar në muajin mars janë dhe 7 raste me Hepatit B. /Alsat.mk








