Rritja e çmimeve/ Inspektoratet shtetërore hedhin fajin te njëra-tjetra – Flasin nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës

Rritja e çmimeve/ Inspektoratet shtetërore hedhin fajin te njëra-tjetra – Flasin nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës

Gazetar: Adnan Qaili

Ndonëse disa nga çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar rritje, inspektoratet shtetërore hedhin fajin te njëri-tjetri, shkruan Alsat.

Asnjëri nuk luan kompetentin për situatën e turbullt që është shkaktuar tani 1 javë.

Përderisa Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati i Punës thonë se nuk mund të bëjnë asgjë për frenimin e çmimeve me pakicë, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës mbetet hermetikisht i mbyllur.

Pas disa refuzimeve për deklaratë, së fundmi na përgjigjen vetëm me shkrim se nuk veprojnë sipas zërave në opinion, por procedojnë vetëm parashtresat me shkrim, njëra prej të cilave ka 6 muaj pa epilog.

“Komisioni ka kompetencë të mbledh të dhëna nga subjektet private që është një lloj bastisje në vendngjarja. Por, për të vërtetuar marrëveshjet e fshehta të çmimeve, është e nevojshme që Komisioni të ketë prova të forta se kush ka negociuar, kur, dhe për cilat produkte janë ujdisur çmimet. Deri më tani, Komisioni nuk ka indikacione konkrete për ekzistimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet rrjeteve të caktuara të super marketeve për produkte të caktuara”, thanë nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Nga atje thonë se çmimet rregullohen vetë në bazë të ofertës e kërkesës dhe presin miratimin e ligjit të ri kundër praktikave të padrejta tregtare, për t’ju shtuar kompetencat e veprimit.

Ligji aktual që deri diku mund të vij në shprehje në këtë vakum pas heqjes së çmimeve të garantuara është Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, i cili parashikon që subjektet private që marrin pjesë në praktika të ndaluara, mund të gjobite më pak ose të lirohen nga dënimi nëse ata vetë i denoncojnë shkeljet ligjore.

Asnjëri nga subjektet nuk guxon të dominoj më shumë se 40% të tregut vendor, por edhe nën këtë dominancë nuk iu lejohet të praktikojnë tregti të padrejtë ndaj furnitorëve dhe shitësve me pakicë, theksohet në ligjin aktual.

“Propozimi i ligjit është në procedurë parlamentare dhe me të fillimisht parashihet që pas miratimit të tij të punësohen 3 persona të rinj të cilët do punojnë për zbatimin e këtij ligji. Pas miratimit të Ligjit kundër praktikave të padrejta tregtare, Komisioni do të shqyrtojë nevojën për zbatimin e një sistematizim të ri që do të përcaktojë numrin e saktë të punëtorëve të nevojshëm për zbatimin e ligjit në fjalë”, u shprehën nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës

Propozim ligji për parandalimin e tregtisë jo korrekte kaloi leximin e dytë në Komisionin për çështje evropiane, por akoma nuk dihet kur do të miratohet në seancë plenare. Ndërsa akoma nuk dihet data e saktë e miratimit, Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës do t’i duhen 6 muaj të plotë që të harmonizoj dispozitat për të zbatuar kompetencat e saj.

Sipas këtij ligji, do të ndalohen praktikat tregtare jo korrekte ndërmjet furnitorëve dh tregtarëve që fitimi i ashtuquajtur ‘rabat’ të mos jetë më i lartë se 10%, në mënyrë që kjo të ndikoj në ulje të çmimeve me pakicë të produkteve ushqimore bazë, pijeve dhe të fruta perimeve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button