Rritja e shqetësimeve për përdorimin e AI-së në fushëbetejë

Rritja e shqetësimeve për përdorimin e AI-së në fushëbetejë

Megjithatë, luftërat e fundit të Izraelit shënojnë një rast kryesor në të cilin modelet komerciale të AI-së, të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara, janë përdorur në luftë aktive, pavarësisht shqetësimeve se në parim ato nuk janë zhvilluar për të ndihmuar në vendosjen për jetë apo vdekje.
Gjigantët e teknologjisë amerikane kanë ndihmuar Izraelin për të lokalizuar dhe vrarë më shumë militantë në Gazë dhe Liban, përmes shërbimeve të inteligjencës artificiale (AI) dhe atyre kompjuterike. Por, numri i civilëve të vrarë gjithashtu është rritur, duke krijuar frikë që këto mjete mund të kontribuojnë në vdekjen e njerëzve të pafajshëm.

Për vite me radhë, ushtri të ndryshme kanë kontraktuar kompani private për të ndërtuar armë të reja. Megjithatë, luftërat e fundit të Izraelit shënojnë një rast kryesor në të cilin modelet komerciale të AI-së, të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara, janë përdorur në luftë aktive, pavarësisht shqetësimeve se në parim ato nuk janë zhvilluar për të ndihmuar në vendosjen për jetë apo vdekje.

Ushtria izraelite e përdor inteligjencën artificiale (AI) për të grumbulluar informacion, ndërhyrë në komunikim dhe për të mbikëqyrur sjellje apo fjalime të dyshimta të armiqve. Pas sulmit të befasishëm nga militantët e Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, përdorimi i teknologjisë së Microsoftit dhe OpenAI ka pësuar rritje eksponenciale, zbulon hetimi i Associated Press (AP). Nëpërmjet hetimit janë zbuluar edhe detaje të reja se si sistemet e inteligjencës artificiale kanë përzgjedhur shënjestra. Hetimi është bazuar në dokumente të brendshme dhe intervista ekskluzive me zyrtarë e ish-zyrtarë izraelitë dhe punonjës të kompanive.

“Ky është konfirmimi i parë që kemi marrë në lidhje me përdorimin e modeleve të AI-së në zonat e luftës”, ka thënë Heidy Khlaaf, shkencëtar për AI në Institutin “AI Now” dhe ish-inxhinier i lartë i sigurisë në OpenAI. “Pasojat janë të mëdha për rolin e teknologjisë në mundësimin e këtij lloji të luftës së paligjshme dhe joetike në të ardhmen“, ka shtuar ai.

Ngritja e inteligjencës artificiale

Ndërsa titanët e teknologjisë amerikane ngjiten në pozita të rëndësishme nën mandatin e presidentit Donald Trump, gjetjet e AP-së kanë ngritur pyetje rreth rolit të Silicon Valley në të ardhmen e luftës. Microsofti pritet të rrisë partneritetin me ushtrinë izraelite, dhe ajo çka ndodh me Izraelin mund të ndihmojë në përcaktimin e përdorimit të këtyre teknologjive në zhvillim për mbarë botën.

Përdorimi i inteligjencës artificiale të Microsoftit dhe OpenAI nga ushtria izraelite u rrit ndjeshëm në marsin e vitit të kaluar, duke u përdorur pothuajse 200 herë më shumë sesa para javës që çoi në sulmin e 7 tetorit, ka zbuluar AP pas analizimit të informacionit të brendshëm të kompanisë. Sasia e të dhënave që ajo ruante në serverët e Microsoft u dyfishua midis asaj periudhe dhe korrikut të 2024, duke arritur më shumë se 13.6 petabyte — rreth 350 herë më shumë sesa hapësira digjitale e nevojshme për të ruajtur çdo libër në Bibliotekën e Kongresit. Përdorimi i serverëve të mëdhenj kompjuterikë të Microsoftit nga ushtria izraelite gjithashtu u rrit me pothuajse dy të tretat gjatë dy muajve të parë të luftës.

Qëllimi i Izraelit pas sulmit të 7 tetorit, nga i cili u vranë 1,200 persona dhe u morën peng mbi 250 të tjerë, ishte që ta zhdukte Hamasin. Ushtria izraelite e ka quajtur inteligjencën artificiale ‘faktor përcaktues’, që identifikon shënjestrat me shpejtësi të hatashme. Prej fillimit të luftës, mbi 50,000 njerëz kanë vdekur në Gazë dhe Liban, dhe afërsisht 70 për qind e ndërtesave të Gazës janë shkatërruar, sipas njoftimeve të ministrive të Shëndetësisë në Gazë dhe Liban, respektivisht.

Hetimi i AP-së u bazua në intervista me gjashtë anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të ushtrisë izraelite, përfshirë tre oficerë inteligjence. Shumica folën nën kushte të anonimitetit, sepse nuk kishin autorizimin për të diskutuar operacione ushtarake të ndjeshme.

AP gjithashtu intervistoi 14 punonjës aktualë dhe ish-punonjës të brendshëm nga Microsoft, OpenAI, Google dhe Amazon, shumica e të cilëve gjithashtu folën në kushte të anonimitetit për shkak të frikës nga hakmarrja. Gazetarët shqyrtuan të dhëna dhe dokumente të brendshme të kompanive, përfshirë një që përshkruan kushtet e një kontrate prej 133 milionë dollarësh ndërmjet Microsoftit dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit.

Ushtria izraelite thotë se analistët e saj i përdorin sistemet e inteligjencës artificiale për të identifikuar shënjestrat, por në mënyrë të pavarur i diskutojnë bashkë me oficerë të lartë ushtarakë për të konfirmuar se nëse sulmi i mundshëm mbi ato shënjestër korrespondon me të drejtën ndërkombëtare, duke vendosur në peshore avantazhin ushtarak kundrejt dëmit apo pasojave.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite, i autorizuar të flasë me AP-në, ka thënë se objektivat ushtarake mund të përfshijnë militantë që luftojnë kundër Izraelit, kudo që ata të jenë, madje edhe nëpër ndërtesa civile. Zyrtarët insistojnë se, edhe kur inteligjenca artificiale luan një rol të caktuar, gjithmonë ka disa shtresa njerëzish në proces.

“Këto mjete të AI-së e bëjnë procesin e inteligjencës më të saktë dhe efektiv”, ka deklaruar ushtria izraelite për AP-në. “Ato zbulojnë më shpejt objektivat, por jo në dëm të saktësisë, dhe shumë herë gjatë kësaj lufte ato kanë mundur t’i minimizojnë viktimat civile”.

Ushtria izraelite refuzoi të përgjigjet në pyetjet e detajuara me shkrim nga AP lidhur me përdorimin e produkteve komerciale të AI-së, të krijuara nga kompanitë amerikane të teknologjisë.

Microsofti refuzoi të komentonte për këtë histori dhe nuk iu përgjigj një liste të detajuar pyetjesh me shkrim rreth shërbimeve të Cloud dhe AI që i ofrohen ushtrisë izraelite. Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, kompania ka thënë se është e angazhuar “për të mbështetur rolin pozitiv të teknologjisë në mbarë botën”. Në raportin 40-faqësh të vitit 2024, Microsofti ka premtuar se do t’i menaxhojë rreziqet e AI-së gjatë zhvillimit “për t’i zvogëluar dëmet e mundshme”, por nuk përmend askund kontratat e saj fitimprurëse ushtarake.

Modelet e avancuara të AI-së ofrohen përmes OpenAI, krijuesit të ChatGPT-së, dhe përmes platformës së Microsoft Azure, ku ato blihen nga ushtria izraelite, sipas dokumenteve dhe të dhënave.

Microsoft ka qenë investitori më i madh i OpenAI. OpenAI tha se nuk ka partneritet me ushtrinë izraelite dhe se politikat e tij të përdorimit thonë se klientët nuk duhet të përdorin produktet për të zhvilluar armë, shkatërruar pasuri apo dëmtuar njerëz.

Megjithatë, rreth një viti më parë, OpenAI ndryshoi kushtet e përdorimit nga ndalimi i përdorimit ushtarak në përdorimin për “rastet e sigurisë kombëtare që janë në përputhje me misionin tonë”.

Kostoja njerëzore e AI-së

Është shumë e vështirë për të kuptuar se kur sistemet e inteligjencës artificiale bëjnë gabime, për shkak se përdoren në kombinim me shumë forma të tjera të inteligjencës, duke përfshirë inteligjencën njerëzore.

Në nëntor të vitit 2023, Hoda Hijazi po ikte me tri vajzat e saj të vogla dhe nënën e saj nga luftimet mes Izraelit dhe aleatit të Hamasit, Hezbollah, në kufirin libanez, kur makina e tyre u bombardua.

Para se të largoheshin, të rriturit u thanë vajzave të luanin përpara shtëpisë, në mënyrë që dronët izraelitë të dinin se po udhëtonin me fëmijë. Gratë dhe vajzat udhëtuan pranë xhaxhait të Hijazit, Samir Ayoub, gazetar në një radiostacion, i cili po udhëtonte me makinën e tij. Ata dëgjuan zhurmën e një droni shumë afër mbi kokë.

Pak pas kësaj, një sulm ajror goditi makinën që Hijazi po drejtonte. Ajo u rrokullis nga një kodër dhe shpërtheu në flakë. Ayoub arriti ta nxjerrë Hijazin jashtë, por nëna e saj — motra e Ayoubit — dhe tri vajzat — Rimas, 14 vjeçe, Taline 12 vjeçe dhe Liane 10 vjeçe — humbën jetën.

Para se të largoheshin nga shtëpia, Hijazi kujton se njëra nga vajzat insistoi të bëjë foto të maceve në kopsht “sepse ndoshta nuk do t’i shohim më”.

Në fund, ajo tha “macet mbijetuan dhe vajzat nuk janë më”.

Pamjet nga kamera e sigurisë të një dyqani afër sulmit, pak para goditjes, treguan familjen Hijazi brenda një SUV Hyundai, me nënën dhe njërën vajzë që ngarkonin kova me ujë. Familja ka thënë se videoja dëshmon se dronët izraelitë duhet të kishin parë gratë dhe fëmijët.

Ditën tjetër pas goditjes, ushtria izraelite publikoi video të sulmit së bashku me disa fotografi. Një deklaratë e shoqëruar me imazhet ka thënë se avionët luftarakë izraelitë kishin “goditur mbi 450 objekte të Hamasit”. Analiza vizuale e AP-së përputhi rrugën dhe karakteristika të tjera gjeografike në videon e Ushtrisë izraelite me imazhet satelitore të vendit ku tri vajzat humbën jetën, 1.7 kilometra larg dyqanit.

Një oficer i inteligjencës izraelite ka thënë për AP-në se AI është përdorur për të ndihmuar në përcaktimin e të gjitha objektivave gjatë tre vjetëve të fundit. Në këtë rast, AI ka identifikuar ndoshta një banesë, dhe se në mbledhjen e të dhënave të tjera mund të ketë vendosur vetëm një person atje.
“Informacioni i gabuar i mëparshëm mund të ketë shënuar banesën e gabuar, ose ata mund të kenë goditur automjetin e gabuar”, ka shtuar ai.

AP gjithashtu ka pranuar mesazh nga një burim i dytë me njohuri mbi këtë sulm ajror, i cili konfirmoi se ishte një gabim, por nuk dha detaje të tjera.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite e mohoi përdorimin e sistemeve të AI-së gjatë vetë sulmit ajror, por refuzoi të përgjigjej nëse AI kishte ndihmuar në zgjedhjen e objektivit ose nëse ai ishte i gabuar.

Ushtria izraelite i ka thënë AP-së se zyrtarët e saj e kanë shqyrtuar ngjarjen dhe kanë shprehur “keqardhje për rastin”.

Si funksionon?

Microsoft dhe OpenAI janë ndër firmat e mëdha teknologjike që e kanë mbështetur Izraelin në luftërat e viteve të fundit.

Google dhe Amazon ofrojnë shërbime të “cloud computing” dhe AI për ushtrinë izraelite në kuadër të “Projektit Nimbus”, një kontratë prej 1.2 miliard dollarësh e nënshkruar në vitin 2021, kur Izraeli testoi për herë të parë sistemet e tij të brendshme të shënjestrimit të fuqizuara nga AI. Ushtria ka përdorur edhe qendrat e të dhënave të Cisco dhe Dell. Red Hat, një filial i pavarur i kompanisë teknologjike IBM, gjithashtu ka ofruar teknologji “cloud computing” për ushtrinë izraelite, dhe Palantir Technologies, një partner i Microsoft siç figuron në disa kontrata të mbrojtjes së SHBA-së, ka “partneritet strategjik” që ofron sisteme të AI për të ndihmuar përpjekjet ushtarake të Izraelit.

Kompania amerikane Google ka thënë se është e angazhuar për zhvillimin dhe përdorimin e AI-së në mënyrë të përgjegjshme. Sipas Google, zhvillimi i kujdesshëm dhe sistematik i AI ka për qëllim të “mbrojë njerëzit, promovojë rritjen globale dhe të mbështesë sigurinë kombëtare”. Dell dha një deklaratë duke thënë se kompania angazhohet për standardet më të larta në punën me organizata publike dhe private globalisht, përfshirë edhe në Izrael. Zëdhënësja e Red Hat, Allison Showalter, ka thënë se kompania është krenare për klientët e saj globalë, të cilët respektojnë kushtet e Red Hat për t’u përputhur me ligjet dhe rregulloret përkatëse.

Palantir, Cisco dhe Oracle nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Amazon refuzoi të komentonte.

Ushtria izraelite përdor Microsoft Azure për të përmbledhur informacionin përmes mbikëqyrjes masive, të cilin e transkripton dhe e përkthen, duke përfshirë thirrjet telefonike, mesazhet me tekst dhe mesazhet audio, siç tha një oficer i inteligjencës izraelite që punon me këto sisteme. Këto të dhëna mund të kontrollohen më pas me sistemet e brendshme të shënjestrimit të Izraelit dhe anasjelltas.

Ai ka thënë se mbështetet në Azure për të kërkuar shpejt terme dhe modelet brenda grumbujve të mëdhenj të tekstit, si për shembull gjetjen e bisedave mes dy njerëzve brenda një dokumenti 50 faqesh. Azure gjithashtu mund të gjejë njerëz që japin udhëzime për njëri-tjetrin në tekst, të cilat mund të kontrollohen më pas nga sistemet e AI të ushtrisë për të përcaktuar lokacione.

Të dhënat e Microsoftit, që AP shqyrtoi, tregojnë se që nga sulmi i 7 tetorit, ushtria izraelite ka përdorur në mënyrë intensive mjetet e transkriptimit dhe përkthimit dhe modelet e OpenAI, megjithëse nuk specifikohet se cilat. Zakonisht, modelet e AI që transkriptojnë dhe përkthejnë performojnë më mirë në gjuhën angleze. OpenAI ka pranuar se modeli i saj i përkthimit të fuqizuar nga AI, Whisper, i cili mund të transkriptojë dhe përkthejë në gjuhë të shumta, përfshirë arabisht, mund të krijojë tekst që askush nuk e ka thënë, duke përfshirë shtimin e komenteve raciste dhe retorikës së dhunshme.

“A duhet t’i bazojmë këto vendime mbi gjëra që modeli mund t’i krijojë?” ka thënë Joshua Kroll, profesor asistent në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Shkollën Ushtarake në Monterey, Kaliforni, i cili foli me AP-në në kapacitetin e tij personal, duke mos pasqyruar pikëpamjet e Qeverisë amerikane.

LEXO EDHE:

Back to top button