Rritja marramendëse e pagave të funksionarëve – Nuk dihet a do të arrijnë ndryshimet ligjore të 7 ligjeve

Rritja marramendëse e pagave të funksionarëve – Nuk dihet a do të arrijnë ndryshimet ligjore të 7 ligjeve

Gazetar: Adnan Qaili

Akoma nuk dihet a do të arrijnë në kohë ndryshimet ligjore të pakos prej 7 ligjeve që i rregullojnë pagat e funksionarëve të cilët nga marsi mund të kenë rritje marramendëse të pagave, shkruan Alsat.

Në tri ditët e fundit të muajit shkurt, nga grupi parlamentar i LSDM-së thonë se janë duke përgatitur që përmes deputetëve të tyre të parashtrojnë nismën për këto ndryshime, ngaqë në qeveri nuk gjetën konsensus nga BDI-ja.

Socialdemokratët thonë se ka kohë deri në fund të marsit për ti kaluar këto ligje dhe do të jenë me procedurë të shpejtë.

“Unë me të vërtetë e kuptoj interesimin tuaj për këtë temë shumë aktuale, e cila i tangon të gjithë qytetarët tanë. Siç ju thash edhe në pyetjen e paraprake që tani sërish më parashtroni, është që në ditët në vijim do të njoftoheni konkretisht me zgjidhjen ligjore. E dini që kemi komunikim të vazhdueshëm me juve mediat dhe ju gazetarët, të cilët na jeni shumë të nevojshëm për punën tonë të përditshme, në pres konferencat e ardhshme do të jeni detajisht të njoftuar me zgjidhjen e re ligjore”, tha Lidija Tasevska, Deputete e LSDM-së.

Nëse nuk do të miratohen këto ndryshim-ligje deri në fund të muajit mars, me pagën e muajit të tretë që do ta marrin në prill, rritja e pagave të funksionarëve, në varësi të pozicionit në të cilin ndodhen, do të lëvizë nga 300-500€ plus në muaj.

Me përshtatjen e re të pagave me pagën minimale, Presidenti do të marrë rreth 3 mijë euro neto në muaj, kurse deputetët rreth 2 mijë euro.

Kjo rritje do të jetë e rregullt çdo vit sepse Gjykata Kushtetuese hoqi bazën fikse, kështu që tani me rritjen e pagës minimale do të rriten pagat e ministrave, gjykatësve, prokurorëve, kryetarëve të komunave, pra gjithsej 1,260 funksionarëve.

Kjo lloj rritje mund të vijë edhe pasi që vitin e kaluar vetëm pagat e funksionarëve u rritën me 78%./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button