Rrugët janë të kalueshme në gjithë vendin, pika kufitare Qafë Thanë mbetet e mbyllur

Reshjet e dëborës gjatë fundjavës kanë vështirësuar qarkullimin nëpër rrugët e vendit. Por, nga autoritetet thonë se asnjë rrugë aktualisht nuk është e pakalueshme. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” thonë se gjatë këtyre tri ditëve nëpër rrugë kanë hedhur mbi 4 mijë ton krip. Përderisa rekomandimet për rrugët malore janë që të shmanget udhëtimet e panevojshme, sot nuk është dashur që të përdorën zinxhirët nëpër goma të automjeteve. Nga kjo ndërmarrje thonë se edhe aksi rrugorë që të shpie drejt pikës kufitare të Qafë Thanës, mbetet i papërdorur jo për fajin e tyre.

Rruga Strugë-Qafë Thanë nga ana jonë është e kalueshme dhe nuk kemi asnjë problem, por siç kemi informacione problemi qëndron nga ana tjetër e Republikës së Shqipërisë. Për momentin gjendja e rrugëve në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut janë të kalueshme -deklaroi Arben Bislimi, N.P. “Rrugët e Maqedonisë”.

Ndërkaq, nga shtabi i krizës së Qytetit të Shkupit informojnë se të gjitha rrugët dhe bulevardet e kryeqytetit janë pastruar. Si rrjedhojë edhe transporti publik është duke funksionuar rregullisht, ndërsa gjatë ditës së sotshme kumtuan se janë duke pastruar edhe trotuaret për këmbësorët.

Ekipet e shërbimit dimëror të Qytetit të Shkupit kanë qenë në terren që nga fillimi i djeshëm dhe gjatë natës, gjatë së cilës mbi 1000 tonë kripë janë hedhur në bulevardet dhe rrugët e qytetit. Të gjitha rrugët dhe bulevardet e qytetit ishin të pastra dhe të kalueshme gjatë ditës dhe nuk kishte bllokim të trafikut – njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Por, jo në të gjitha qytetet e tjera gatishmëria ka qenë në nivelin e duhur për të evituar rreziqet në trafik.
Madje, në qytetin e Gostivarit kanë shpërthyer kritikat ndërmjet autoriteteve komunale, ku dega lokale e BDI-së ka akuzuar kreun e komunës për, siç thonë ata, mos mirëmbajtje dhe pastrimin e rrugëve. Komuna i hodhi poshtë akuzat.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button