Rubio: Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si “mjet presioni ndaj botës”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, tha se Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si “mjet presioni ndaj botës”. Ai e akuzoi atë se synon të kontrollojë një rrugë jetike ndërkombëtare dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndajnë barrën e mbrojtjes së transportit detar global. Duke folur para gazetarëve, para nisjes për një takim në Filipine, Rubio tha se operacionet ushtarake amerikane janë të përqendruara vetëm në ndalimin e sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare dhe në dobësimin e aftësisë së Teheranit për të kërcënuar trafikun detar. Duke përsëritur se Uashingtoni mbetet i hapur për negociata, Rubio tha se diplomacia do të kërkonte një ndryshim të vërtetë në sjelljen e Teheranit.
“Sjellja e tyre duhet të ndryshojë, në mënyrë që edhe sjellja jonë të ndryshojë. Ajo që mund të them është se Shtetet e Bashkuara mbeten gjithmonë të hapura për një zgjidhje diplomatike. Ne kemi provuar disa herë të arrijmë një marrëveshje me Iranin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Nëse ajo derë hapet, do të jemi të lumtur ta shohim të hapur”, deklaroi Marko Rubio, Sekretar amerikan i Shtetit.








