Ryshfeti/ Suspendohet farmacisti në Onkologji

Ryshfeti/ Suspendohet farmacisti në Onkologji

Gazetar: Adnan Qaili

Nuk kanë të ndalur zbulimet e skandaleve në repartin ku trajtohen pacientët me kancer. Pas arrestimit për ryshfet sot u suspendua nga puna njëri nga farmacistët në Klinikën e Onkologjisë, shkruan Alsat.

Një javë më parë Kaltrin Ushtelenca u arrestua në flagrancë duke marr ryshfet nga një paciente, e cila edhe e denoncoi, pasi që i njëjti i ka shitur terapi të kancerit nga barnatorja interne e klinikës për muajit shtator dhe tetor.

“Pas denoncimit të rastit, në takim mes pacientes dhe farmacistit te hyrja e pasme e klinikës pacientja i ka dhënë 100 euro dhe në vendngjarje u kap nga policia, të cilit iu gjet dhe bankënota si provë material”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Përveç ryshfetit, i akuzuari dyshohet që ka tërhequr nga farmacia e Klinikës edhe rreth 200 njësi të cito-statikëve dhe të njëjtat i ka shitur, privat jashtë shtetit, të cilat kanë vlerë rreth 20 mijë euro. Si pasojë, pacientët me muaj të tërë kanë mbetur pa marrë terapitë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Rasti është proceduar nga prokurori kompetent dhe për këtë çështje vazhdojnë hetimet.

“Prokuroria e Shkupit parashtroi kallëzim penal ndaj K.U. 24 vjeç nga Dibra për veprën penale marrja e ryshfetit e dënueshme sipas Nenit 357 të Kodit Penal. I punësuari në Klinikën e Onkologjisë më datën 21.10.2022 duke keqpërdorur autorizimet zyrtare pacientes i ka kërkuar 100 euro shpërblim për dhënien e terapisë për dy muaj. I dyshuari ka përsëritur veprën edhe gjatë muajve të tjerë me të njëjtën paciente”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Nga drejtoria e Klinikës thonë se telashe me mungesë të barnave kanë pasur edhe para kësaj çështje. Drejtori organizativ i klinikës Nehat Nuhi tha se nuk ka të bëjë vetëm me një rast të izoluar, por për një fenomen keqpërdorimesh që dyshohet se praktikohet nga një rrjet më i gjerë. Nuk deshi të komentoj raportimet se terapi mijëra euro dyshohet që merren edhe në emër të pacientëve të vdekur. Ai tha se pas suspendimit të farmacistit dhe gjithë atyre që mund të implikohen pasojnë masat disiplinore.

“Kemi pranuar vendim nga Gjykata Themelore për përcaktim ndaj të dyshuarit për masa të kujdesit. dhe ne në bazë të kompetencave ligjore. Sot sjellim vendim për suspendim në bazë të ligjit, pastaj formojmë komision disiplinor dhe do të shqiptohen masat në bazë të komisionit disiplinor. Në bazë të udhëheqësit në barnatore dhe drejtorit medicinal ka pasur raste që kanë munguar terapi dhe kemi bërë denoncimin”, tha Nehat Nuhi, Drejtor organizativ i Onkologjisë.

Në Klinikën e Onkologjisë ka 220 të punësuar, prej të cilëve 20 janë me kontratë ne vepër dhe 40 të tjerë me vendime të posaçme. Sipas informacioneve jo zyrtare disa nga këta të punësuar, përveç pagës marrin edhe mëditje në zarf nga buxheti i klinikës, fenomen për të cilin pritet të zgjerohet hetimi./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button