“Safe City” pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, në pritje të miratimit të ligjit për kundërvajtje
“Safe City” pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, në pritje të miratimit të ligjit për kundërvajtje
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Nga sot e deri më 31 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar me testimin dhe verifikimin e kamerave nga sistemi “Safe City” pasi nga 1 shkurti, të njëjtat duhet zyrtarisht të hyjnë në funksion. Për momentin nuk ka asnjë shenjë se ky sistem mund të shtyhet për një periudhë tjetër të caktuar. Nëse ditëve në vijim miratohet ligji për kundërvajtje, nuk do të ketë më asnjë pengesë.
“Nëse miratohen ligjet që duhet të mundësojnë zbatim të sistemit “Safe City” pritet të fillojë me zbatim nga 1 shkurti 2026 në territorin e Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës si dhe për korridoret 8 dhe 10, derisa faza e dytë për zbatim në territor të të gjithë shtetit, gjatë këtij viti”, thonë Qeveria.
E pikërisht mos vendosja e kamerave në të gjitha qytetet është një nga vërejtjet e Frontit Evropian në Kuvend. Në takimin e fundit mes koordinatorëve, nga BDI kanë theksuar se edhe SMS porositë e formularët duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe, duhet të rregullohen shenjat e komunikacionit ndërsa nuk pajtohen edhe me lartësinë e gjobave. Për këto vërejtje, thonë se kanë marrë premtime nga institucionet se do të rregullohen deri në verë por nëse nuk rregullohen, do të iniciojnë ndryshime të reja ligjore.
“Ne në parim i mbështesim ndryshimet ligjore dhe fillimin e këtij sistemi. Ky është vendim i dalë nga takimi i liderëve ndërsa ne në nivel të koordinatorëve dhe të deputetëve i kemi zgjidhur çështjet dhe dilemat teknike”, tha Rina Ajdari – Koordinatore e g.p Fronti Evropian.
Por deputeti Sadulla Duraku ka një sqarim tjetër, por nuk precizon nëse do ta votojnë ligjin.
“A bën veç pak! Mos ti mbështjellim punët këtu. Në qoftë se përmirësimet nuk bëhen në ligj, bisedimet janë që përmirësimet të bëhen në ligj. Nëse përmirësimet nuk bëhen në ligj në parim ne e votojmë ligjin por në qoftë se nuk bëhen përmirësimet nuk votohet ky ligj”, tha Sadulla Duraku – Deputet i BDI-së.
Për këto vërejtje koordinatori i grupi parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, thotë se BDI është dashur të dorëzojë amendamente në lexim të dytë në komision por këtë nuk e ka bërë. Megjithatë vërejtjet thotë se u janë pranuar.
“Në takimin e liderëve u ra dakord që të ketë mbështetje. U tha që ka amendamente por konstatuam që nuk ka amendamente mbi këtë ligj. Pra ka qenë një lloj hutie nga ana e liderit të BDI-së por megjithatë të nesërmen patëm takim të koordinatorëve edhe aty u bisedua. Përfaqësuesit e BDI-së kishin disa vërejtje që u konstatuan dhe u pranuan si të tilla”, u shpreh Bekim Qoku – Koordinator i g.p VLEN.
Nëse ligji miratohet, ai pritet të kapë vetëm katër lloje të shkeljeve; parkim të paligjshëm, kalim në semafor të kuq, drejtim mjeti me regjistrim të skaduar dhe tejkalim shpejtësie. Për tejkalimin e shpejtësisë, pragu i tolerancës do të jetë: 6 kilometra në orë për rrugët ku shpejtësia maksimale është deri në 100 km/orë; 8 për shpejtësi mbi 100 km/orë dhe 12 km/orë për vendet ku shpejtësia maksimale e lejuara është mbi 200 km/orë./ Alsat.mk








