Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian, nuk erdhën vetëm Putini dhe Lukashenko

Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian, nuk erdhën vetëm Putini dhe Lukashenko

Gazetar: Lluka Andreev

Të gjithë liderët evropianë, me përjashtim të Putinit dhe Lukashenkos, u ulën në një tryezë të përbashkët në Pragë. Aty mbahet Samiti i parë i Bashkësisë Politike Evropiane të sapoformuar. 44 presidentë shtetesh dhe qeverish po diskutojnë një strukturë të re sigurie në kontinent, si dhe vendosjen e pavarësisë energjetike nga Rusia. Idenë e një komuniteti të tillë e dha për herë të parë nga presidenti francez Emanuel Makron në fillim të vitit dhe u mbështet menjëherë nga kancelari gjerman Olaf Sholc.

“Prioritet është krijimi i linjave evropiane për lidhjen dhe transmetimin e energjisë elektrike dhe uljen e çmimeve të gazit në Evropë. Unë jam gati t’i shtyj përpara të gjitha këto projekte duke kërkuar ndërlidhje më të madhe”, deklaroi Emanuel Makron – President i Francës.

“Nuk bëhet fjalë për krijimin e një institucioni të ri. Në vend të kësaj, krerët e shteteve dhe qeverive duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin “shumë më konkretisht”. Një institucion i ri do të ishte qasja e gabuar. Ky është një format i ri, i cili është ‘risi e madhe’, dhe është mirë të mund të flasim “pa një agjendë”, për shqetësimet e përbashkëta në Evropë”, tha Olaf Sholc – Kancelar i Gjermanisë.

Nga ana tjetër, liderët e Bashkimit Evropian u ndalën te lufta në Ukrainë dhe lëvizjet e Kremlinit.

“Jam optimist, sepse fakti që 44 vende të ftuara vendosën të marrin pjesë është sinjali i parë i mirë, dhe nga sot do të duhet të diskutojmë tema më të thella”, u shpreh Sharll Mishell- President i Këshillit Evropian.

“Jemi mbledhur këtu për të studiuar si të krijojmë një rend të ri sigurie në Evropë. Duhet të ndodhë pa Rusinë. Jo sepse ne nuk duam që Rusia të jetë pjesë e Evropës, por sepse Rusia e Putinit ka vendosur të ndahet nga komuniteti evropian”, deklaroi Zhozep Borrell – Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së.

Samiti u hap nga kryeministri çek Petër Fjala, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian. Ai tha se qëllimi i Putinit është të pushtojë territore dhe, sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet t’i marrë seriozisht referendumet që presidenti rus i organizoi në lindje të Ukrainës. Një nga të ftuarit kryesorë në Pragë është kryeministri ukrainas Denis Shmygal. Përveç 27 vendeve anëtare të Unionit, në këtë Bashkësi Politike Evropiane marrin pjesë edhe Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Kosova, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Britania e Madhe./Alsat.mk

VENDET PJESËMARRËSE NË BASHKËSINË POLITIKE EVROPIANE

 

LEXO EDHE:

Back to top button