Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhët më 19 qershor
Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhët më 19 qershor

Gazetar: Mihajllo Donev
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski njoftoi se seanca përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve do të mbahet më 19 qershor, ndërsa gjykatësit kushtetues duhet të marrin vendimin përfundimtar për këtë çështje pas zgjedhjeve lokale. Në një intervistë me emisionin “Trilling”, Kostadinovski tha se në seancën përgatitore, gjykatësit kushtetues do të duhet të dëgjojnë mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe atyre vendorë.
“Për shembull, Komisioni i Venecias do të vijë për të arsyetuar këshillën miqësore që tashmë është përgatitur. Një gjykatës nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ekspert për të drejtat e pakicave, do të vijë të na sqarojë se cilat janë standardet ndërkombëtare, cilat janë standardet evropiane për përdorimin e të drejtave gjuhësore. Do t’i dëgjojmë ekspertët tanë për të drejtën kushtetuese, të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut. Pra, ne si gjykatës ndonjëherë kemi nevojë të dëgjojmë se çfarë thonë profesioni dhe shkenca dhe cilat janë standardet ndërkombëtare”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese .
Për kreun e Gjykatës Kushtetuese, është krijuar në mënyrë të panevojshme një stuhi reagimesh në opinion duke u dhënë dimensione etnike dhe politike veprimeve të gjykatës. Ai shprehet se në shtet nuk ka probleme ndëretnike dhe apelon tek qytetarët që të jenë të qetë.
“Sot nuk kemi asnjë problem me marrëdhëniet ndëretnike. Ne kemi problem me abuzimin e ndjenjave të qytetarëve dhe abuzimin e marrëdhënieve ndëretnike për qëllime politike, vetiake. Kultura politike më është e njohur mirë, unë nuk do ta ndryshoj atë gjë, por dua t’u drejtohem qytetarëve dhe ta bëj vazhdimisht këtë – të jem i qetë, asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë. Me Ligjin për gjuhët, asnjë e drejtë që çdo qytetar që e gëzon sipas kushtetutës sonë, nuk do t’i shkurtohet”, u shpreh Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese .
Sipas profesorit universitar Mersin Maksuti, pjesë e grupit të ekspertëve vendorë, argumentet janë në anën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Në intervistë për Alsat ai tha se beson se ekspertët shqiptarë do të mund të bindin gjykatësit kushtetues se asnjë dispozitë e këtij ligji nuk duhet të kontestohet. Në seancën përgatitore më 19 qershor do të marrin pjesë Martin Kujer, nënkryetar i Komisionit të Venecias dhe Artur Kuc, gjyqtar i Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Përveç kësaj, do të jenë të pranishëm kryetarët e Gjykatës Penale Shkup, Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit në Manastir. Lista përfshin gjithashtu parashtruesit e nismave të nisura kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhës, duke përfshirë Todor Petrov, Tome Todorovski dhe Tanja Karakamisheva./Alsat.mk