Selimi: Deklarohem i pafajshëm, lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e tillë do të mbetet

Rexhep Selimi, njëri ndër themeluesit e UÇK-së u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës së ngritur ndaj tij nga Gjykata Speciale. Në Hagë Selimi tha se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe se Serbia ka kryer dhunë në Kosovë.

Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat në këtë aktakuzë -tha Rexhep Selimi, Ish themelues i UÇK.

Si njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi para dhomave të specializuara në Hagë tha se lufta e popullit të Kosovës dhe UÇK-së ndaj okupatorit serb ishte e drejtë dhe si e tillë do të mbetet e pastër edhe pas këtij procesi gjyqësor. Akuzat e ngritura ndaj tij, Selimi i quajti të padrejta.

E pashë aktakuzën e ngritur nga ana e prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë voluminoze por mbi të gjitha shumë e padrejtë, e pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shtetit prej nga vij unë, por ky proces do ta dëshmojë se ne ishim një popull i shtypur që luftuam për liri. Lufta e popullit tim ishte e drejtë, çlirimtare me qëllime të drejta dhe fisnike, bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi sepse secili që ka dyshime do të bindet se as unë , as UÇK-ja nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë – deklaroi Rexhep Selimi, Ish themelues i UÇK.

Selimi tha se është vetëm një çlirimtar që ka kryer detyrën e tij për çlirimin e vendit nga okupatori serb.

Po, unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore e cila vetëm dhunë i ka sjellë vendit tim. Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë. Unë kam bërë detyrën time si qytetar i vendit tim, unë jam vetëm një çlirimtar. Luftën e kam nis me Adem Jasharin por e kam përfunduar me gjeneralin Veslij Klark, me NATO-n -u shpreh Rexhep Selimi, ish themelues i UÇK-së.

Selimi tha se ka kundërshtuar formimin e Gjykatës pasi ka ardhur si kundërpërgjigje e Serbisë dhe Dik Martit ndaj vendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Mbrojtja kërkoi që Selimit t’i hiqet masa e paraburgimit pasi i njëjti nuk paraqet rrezik arratisjeje dhe rrezik për ndikim ndaj dëshmitarëve kundër tij.

Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët. Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat – deklaroi Robert Karls, Avokat.

Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë të përfshirë në një aktakuzë të përbashkët. Akuza e ngritur bazohet në dyshimet për përndjekje, burgosje, arrestim, trajtim mizor, vrasje dhe zhdukje, të gjitha këto vepra kundër ligjeve të luftës dhe veprave kundër njerëzimit.

Adrian Kerimi

 

LEXO EDHE:

Back to top button