Selmani: Në Maqedoni një gjë është e sigurtë – asgjë nuk ka siguri
Selmani: Në Maqedoni një gjë është e sigurtë - asgjë nuk ka siguri
Eksperti i sigurisë dhe profesori i juridikut, Bashkim Selmani, ka ngritur shqetësime të mëdha mbi përgjegjësinë institucionale dhe shtetërore pas tragjedisë në Koçan. Në emisionin “Ftesë në Studio”, ai deklaroi se ky rast tregon edhe një herë se siguria publike në Maqedoni është e rrezikuar për shkak të mungesës së kontrolleve dhe përgjegjësisë nga institucionet shtetërore.
“Këtu është përgjegjësia institucionale dhe shtetërore. Më vjen keq që thuhet ‘nuk ka krim pa gjurmë’, por kush i humb gjurmët? Vetëm institucioni dhe shteti,” theksoi Selmani, duke shprehur shqetësimin se ky rast mund të mbulohet ashtu si shumë të tjerë në të kaluarën.
Ai theksoi se paratë që ndahen për sigurinë publike nuk arrijnë të garantojnë as kushtet minimale të mbrojtjes për qytetarët.
“Ne si taksapagues paguajmë për sigurinë, por nuk na garantohet asgjë. Kjo tregon se në Maqedoni një gjë është e sigurtë, asgjë nuk ka siguri,” tha ai.
Duke folur për aspektin juridik, eksperti theksoi se Kodi i Procedurës Penale dhe rregullat për inspektimin e vendngjarjes janë të detyrueshme dhe duhet të zbatohen në mënyrë perfekte. Ai vuri në dukje se, pavarësisht nëse një biznes është legjitim apo funksionon ilegalisht, përgjegjësia mbetet mbi institucionet shtetërore.
“Edhe po të jetë ilegale, kemi institucione të papërgjegjshme që kanë lejuar një aktivitet të tillë. Edhe po të jetë legale, shteti sërish nuk ka reaguar në kohën e duhur për të garantuar sigurinë,” theksoi Selmani, duke kërkuar një hetim të plotë dhe të pandikuar politikisht për këtë ngjarje tragjike./Alsat.mk








