Senatori amerikan: Është më urgjente se kurrë që Kosova të anëtarësohet në NATO

Senatori amerikan: Është më urgjente se kurrë që Kosova të anëtarësohet në NATO

Senatori amerikan Chris Murphy deklaroi sot se është urgjente për Kosovën që të sigurojë mbrojtje, duke u anëtarësuar në NATO.

Ai pas takimit me kryeministrin Albin Kurti theksoi se anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike është edhe interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, senatori amerikan i Komisionit për Punë të Jashtme u zotua se në Uashington do të punojnë për të mundësuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e përbashkëta për të vazhduar proceset e interesuara të Kosovës për t’iu bashkuar si NATO-s, ashtu edhe BE-së. Natyrisht kemi të bëjmë me procesin për NATO dhe tash është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova të kenë mbrojtje dhe të gëzojnë mbrojtje. Na vjen mirë që dëgjuam për gjithë ato përparime sa i përket reformave që kanë të bëjnë me hyrjen në NATO. Do të mundohemi që të punojmë në Uashington për të gjetur metoda të reja se si të punojmë bashkërisht për të mundësuar këtë”, tha ai.

Senatori amerikan shtoi se Kosova ka qenë vendi më përkrahës në rajon për sanksione kundër Rusisë. Ndërsa procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, e quajti të vështirë, por të rëndësishëm.

“E shprehëm besimin tonë për rëndësinë që të arrihet përparim në dialogun me Serbinë përmes procesit të Brukselit. Këto bisedime janë të zorshme, por ne besojmë se janë të rëndësishme. Jemi këtu në këtë çast shumë historik në botë për sulmin e pa provokuar dhe brutal të Rusisë në Ukrainë. Dhe kjo është përkujtim që paqja nuk duhet të merret për të qenë, sepse një moment një shtet paqësor mund të jetë skenë e atyre krimeve kaq brutale. Për këtë arsyeje, jemi kaq shumë duke investuar për sigurinë e krejt Evropës dhe krejt Ballkanit, por veçanërisht edhe Kosovës”, tha Murphy.

Senatori amerikan ka përmendur edhe vdekjen e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ku tha se familja e saj e çmon memorialin e ngritur në Prishtinë.

“Na vjen keq dhe jemi të pikëlluar me humbjen e sekretares së Shtetit, Albright. E e di që familja e saj e çmon memorialin, të cilin e keni ngritur këtu në Prishtinë për të përkujtuar rolin e saj dhe SHBA-së për ndalimin e gjenocidit në Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka qëndrimin e njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe BE-në për luftën në Ukrainë.

“Në takimin tonë të përbashkët kam theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani, se të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast edhe një herë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij dhe qëndrueshmërinë e luftën çlirimtare që po bëjnë. Në këtë kontekst Kosova e ka mbajtur qëndrimin e njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe BE-në. Ndërkaq, në anën tjetër kemi autokracitë të cilët mund të jenë të ndara nga populli i tyre, por po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit shtoi se Kosova është një rrëfim i suksesit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Rritja ekonomike në vitin e kaluar ka qenë 10.53 për qind të bruto-produktit vendor. Investimet e huaja direkte janë shtuar 22 për qind, eksportet janë rritur 83 për qind. Buxheti i shtetit krahasuar dy vjet më parë është rritur 26 për qind. Të hyrat tatimore janë rritur 34 për qind, pa e ndryshuar politikën fiskale. Po ashtu, Kosova ka shënuar përparim në luftimin e krimit dhe korrupsionit, për çfarë jemi ngritur për 17 vende, sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transperancy International. Dhe gjithashtu jemi në vendin e 60-të në glob dhe të parët në rajon, sipas World Justice Project”, tha Kurti.

Kurti shtoi se edhe në këtë takim ka kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësim në NATO dhe thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, mbrojtje dhe siguri.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, gjatë ditës janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

LEXO EDHE:

Back to top button