Serbët e Kosovës do të votojnë në katër komuna në jug të Serbisë

Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi vendosi të shtunën që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë për gjyqësorin, në disa qytete në jug të saj.

Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviç, tha se serbët e Kosovës do të mund të votojnë në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë, katër komuna në jug të Serbisë që shtrihen jo larg kufirit me Kosovën.

Ky vendim u publikua pak orë pasi parlamenti i Kosovës mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë mbi ndryshimet kushtetuese, që mbahet të dielën.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thirri mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit, një ditë pasi bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca, refuzuan thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të lejuar mbajtjen e referendumit edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Me 76 vota për, parlamenti miratoi një rezolutë sipas së cilës mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Autoritete thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

LEXO EDHE:

Back to top button