Serbia bëhet gati për 1 shtator, i vendosin tabelat në pikëkalimet kufitare me Kosovën

Serbia bëhet gati për 1 shtator, i vendosin tabelat në pikëkalimet kufitare me Kosovën

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Një ditë para se Kosova dhe Serbia të nisin reciprocitetin për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për qytetarët e tyre që kalojnë kufirin midis dy shteteve, në kalimin kufitar në Jarinjë, në anën e Serbisë, janë vendosur njoftime ku thuhet se me mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike” që të bëhet më e lehtë liria e lëvizjes, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që palët arritën në dialogun e Brukselit më 2011.

“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi për të drejtat e dhëna nën Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në Tabelën e vendosur në hyrje të Serbisë.

Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje. Serbia për 11 vjet ka lëshuar dokumente të tilla për shtetasit e Kosovës me të hyrë në territorin e Serbisë.

Këtë pjesë të Marrëveshjes së lirisë së lëvizjes së vitit 2011, Kosova e aplikoi vetëm për disa orë më 1 gusht. Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PR, PZ, KM, UR e të ngjashme – të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të tilla do të mund t’i riregjistrojnë ato në targa RKS – Republika e Kosovës.

Serbia ka kërkuar që serbët në veri të Kosovës të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, kryeministri Kurti ka hedhur poshtë një propozim të tillë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button