SHBA-ja refuzoi kërkesën e Rusisë për Ukrainën

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara për të refuzuar kërkesat e sigurisë të Rusisë, në mesin e të cilave ishte edhe që Ukraina të mos pranohet në NATO, shkruan Alsat.

Borrell në twitter i ka bërë thirrje Rusisë që të pranojë rrugën diplomatike, pasi tha se është e vetmja mënyrë për zgjidhje afatgjate të krizës ndërmjet Moskës dhe Kievit.

“Mirëpres përgjigjen e shkruar të sekretarit Blinken për propozimet e sigurisë së Rusisë. Rruga diplomatike është e vetmja zgjidhje afatgjatë për qytetarët e Ukrainës dhe qytetarët e Evropës. I bëj thirrje Rusisë që ta pranojë. BE-ja dhe SHBA-ja janë të bashkuara në qasjen tonë të përbashkët”, tha Josep Borrell.

Kremlini, që mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën, ka thënë se e sheh NATO-n si kërcënim të sigurisë dhe ka kërkuar garanci ligjore që kjo aleancë ushtarake të mos zgjerohet më tej nga lindja. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një letre, ka njoftuar se nuk ka pranuar kërkesat e sigurisë së Rusisë.

“Ne e bëjmë të qartë se ka parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar t’i mbështesim dhe mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë”, deklaroi Antony Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit.

“NATO beson se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe qasjes diplomatike, dhe jo përmes përdorimit të forcës apo kërcënimit të forcës”, tha mbrëmjen e të mërkurës Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Rusia tha se do të analizojë përgjigjen amerikane, që është dorëzuar në koordinim me aleancën ushtarake, NATO.

Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën dhe ka mbajtur një sërë stërvitjesh ushtarake në atë zonë. Perëndimi është shqetësuar se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button