SHBA kundërpërgjigjet pas sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme
Ushtria amerikane ka kryer sulme të reja në Iran si pasojë e sulmeve iraniane kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se forcat e saj e përfunduan një valë të fuqishme sulmesh ndaj Iranit që zgjati më shumë se dy orë. Ushtria amerikane tha se u goditën dhjetëra shënjestra të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë qendra të komandës ushtarake, objekte për raketa dhe dronë, pika të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes bregdetare, si dhe kapacitete detare. Sulmet e reja ndodhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Tramp, u zotua se do ta godiste Iranin, pasi Teherani kishte shënjestruar një bazë në Jordani ku janë të vendosur trupa amerikane.
“Do t’i godasim shumë fort. Mund ta them këtë, sepse në këtë rast ata kanë shumë pak çfarë mund të bëjnë. Ata tashmë kanë kërkuar falje. Por, e dini, duhet t’u japim një goditje të vogël”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.
Sulmet e fundit vijnë pas një pauze të shkurtër në operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, pasi Tramp i pezulloi veprimet e mëtejshme ushtarake gjatë fundjavës për t’i lënë hapësirë bisedimeve të mundshëm diplomatike me Teheranin. Rifillimi i veprimeve ushtarake ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal. Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje të gjitha palëve në konfliktin SHBA-Iran që të ulin tensionet.
“Sekretari i Përgjithshëm ka qenë i shqetësuar tanimë një kohë se nëse palët nuk kthehen në tryezën e negociatave, mund të ketë një zgjerim të konfliktit dhe duket se kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Ai tashmë ka shprehur qartë shqetësimet e tij për çdo luftim të rinovuar dhe për çdo përshkallëzim e zgjerim të konfliktit. Këto nuk janë zhvillime pozitive dhe ai dëshiron të sigurohet që palët të ndalojnë luftimet dhe t’i kthehen sërish përpjekjeve diplomatike, përfshirë përpjekjet e ndërmjetësimit që po shtyhen përpara nga Pakistani, Katari dhe të tjerë”, tha Farhan Haq, Zv.zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Lufta me Iranin nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Lindjes së Mesme që strehojnë baza ushtarake amerikane./Alsat.mk.








