SHBA ndan 13.6 miliardë dollarë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus
Në vërejtjet përpara nënshkrimit të projektligjit të financimit, presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbrojti fondet e akorduara për të ndihmuar Ukrainën kundër agresionit të Rusisë, duke u mburrur “me këtë financim të ri të sigurisë, ne po lëvizim urgjentisht në rritjen e mëtejme të mbështetjes sonë për popullin e guximshëm të Ukrainës ndërsa mbrojnë vendin e tyre”.
“Ky projekt-ligj përfshin financim historik, 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që po lufton kundër pushtimit rus dhe ndikimin në vendet përreth”, tha ai.
Agresioni i Rusisë ka bashkuar njerëzit në të gjithë Amerikën si dhe dy partitë amerikane në Kongres, shtoi ai, raporton cnn.
Senati miratoi projekt-ligjin e shpenzimeve të enjten vonë me një votim dypartiak – 68 vota pro dhe 31 kundër. Projektligji përfshin gjithashtu dispozita për zbatimin e sanksioneve.
Paketa e ndihmës emergjente parasheh që me katër miliardë dollarë të ndihmohen refugjatët që kanë ikur ose janë zhvendosur brenda Ukrainës dhe rrit autoritetin e presidentit për transferimin e pajisjeve të mbrojtjes në shtetin ukrainas dhe vendet e tjera aleate në tri miliardë dollarë.








