Shefja e Zyrës Greke: Greqia mban marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë ditës së sotme ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Bislimi ka bërë të ditur se tani është momenti i duhur që Greqia t’iu bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Zeri.info.

Ambasadorja Vakali ka pohuar se Greqia mban marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën dhe se ato janë zhvilluar në një nivel më të avancuar derisa theksoi se ndjehet e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim bilateral.

Bislimi ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me zyrën greke, duke vënë kështu në pah edhe mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Bislimi ka cekur angazhimin dhe progresi i Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe dinamikat përgjatë këtij viti, duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe objektivat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi mes tjerash ka falënderuar znj Vakali për takimin dhe njëkohësisht ka theksuar rolin e rëndësishëm, që Greqia ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke shprehur kështu edhe gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”.

LEXO EDHE:

Back to top button