Shehu e Lloga s’do ta firmosin Listën Zgjedhore

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nesër do të firmosë listën zgjedhore megjithatë nënkryetarja Ditmire Shehu dhe anëtari Krenar Lloga mbeten në qëndrimin se nuk do ta firmosin atë. Të dy një ditë më parë ngritën dilemën e 680 votuesve me vendbanim në Çuçer Sandevë por të cilët duhet të votojnë në Komunën e Butelit dhe në Qytetin e Shkupit, për shkak të të dhënave të tyre të pasakta në letërnjoftime.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se anëtari i deleguar nga partia e tij në KSHZ, duhet ta respektojë ligjin.

Mendoj se anëtari jonë në KSHZ vepron në përputhje me dispozitat dhe ligjet dhe unë nuk kam asnjë të drejtë t’i them atij të veprojë në kundërshtim me ligjet. Ai duhet t’i respektojë ligjet që kanë të bëjnë me këtë pjesë”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

I pyetur nëse në të ardhmen ka nevojë për qartësim të dispozitave ligjore për mënjanimin e gabimeve të ngjashme, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, pranoi se nuk ishte i njoftuar konkretisht me rastin.

Nëse ka gabime sistemore, ata gabime duhet sa më shpejt të korrigjohen deri në momentin e mbylljes së listës zgjedhore. Nëse bëhet fjalë për ndryshim të letërnjoftimeve, edhe kjo mundësohet ligjërisht. Por nuk kam informacione dhe nuk mund të flas për detaje”, pohoi Jovan Mitrevski, LSDM.

Një ditë më parë, pas një debati të gjatë, KSHZ-ja, me shumicë votash nga pesë anëtarët e tjerë të saj, vendosi që 680 votues me vendbanim në Komunën e Çuçer Sandevës të votojnë në Komunën e Butelit dhe në Qytetin e Shkupit. Kjo sepse ata posedojnë letërnjoftime me adresë banimi në Komunën e Butelit, për shkak se Regjistri Qendror nuk e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme se rrugicat ku votuesit janë banorë, i takojnë Komunës së Çuçer Sandevës. Gabimin e pranojnë të gjitha institucionet, por KSHZ-ja vlerëson se ligji i detyron të marrin për bazë të dhënat në letërnjoftime. Problemi është pothuajse dhjetëvjeçar dhe nuk është zgjidhur kurrë. Ministria e Punëve të Brendshme, me shkrim në KSHZ njoftoi se të dhënat në letërnjoftimet e këtyre votuesve do të përditësohen dhe ata do të shkruhen si banorë të Çuçer Sandevës por duke filluar nga letërnjoftimet e reja që do të marrin pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje firmosën sot Kodin për zgjedhje. Ata zotohen për fushatë të drejta dhe demokratike në të cilën do të respektojnë oponentin, fushatën dhe votuesit e tij.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button