Shënon ulje numri i të punësuarve në zonat e lira ekonomike të vendit

Gazetar: Andrea Çobanova

Investitorët e huaj në vend kërkojnë masa të reja ekonomike për të reduktuar efektet negative të shkaktuara nga kriza. Numri i të punësuarve në zonat e lira ekonomike këtë vit është ulur për 1.7 për qind dhe ky trend do të vazhdojë për shkak të rënies drastike të prodhimit, shprehen nga Asociacioni i kompanive të huaja. Investitorët ballafaqohen me mungesë të furnizimit të materialeve, transport të ndërprerë, fuqi jo të kualifikuar të punës dhe rritje të shpenzimeve të prodhimit.

“Sipas kompanive, 93 për qind e tyre thanë se kanë nevojë për një grup të ri masash financiare, për të zbutur efektet e pandemisë, pavarësisht nëse kjo ishte për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, mungesës së mikro-çipeve apo ndërprerjeve të prodhimit të klientëve. Këto masa do të ndihmonin në mbajtjen e numrit të të punësuarve, subvencionimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e taksave doganore”, deklaroi Viktor Mizo- kryetar i Asociacionit të Kompanive të Huaja.

Gjysma e kompanive të huaja deklaruan se ndihma shtetërore ishte vendimtare për të vendosur për të investuar në vend, por ata që nuk e përdorin, e kanë të vështirë të marrin informacion nga institucionet se si ta përdorin atë. Industria e automobilave është goditur më rëndë dhe nuk pritet të rimëkëmbet në vitet e ardhshme. Humbjet në vitin 2022 në mbarë botën pritet të jenë deri në 300 miliardë dollarë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button