Shkencëtaret gjejnë mënyrën për përmirësim të shëndetit të trurit

Shkencëtaret gjejnë mënyrën për përmirësim të shëndetit të trurit

Rëndësia e procesit të riciklimit të mitokondrive në mes të jetës
Një studim i ri ka zbuluar një lidhje të rëndësishme midis shëndetit të trurit dhe procesit të riciklimit të mitokondrive në periudhën e mesit të jetës. Ky proces, i quajtur mitofagi, është thelbësor për largimin e mitokondrive të dëmtuara nga qelizat dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të trurit, sidomos kur ai plaket, ka shkruar SciTechdaily.

Studimi, i udhëhequr nga Anna Rappe dhe Profesori Asociuar Thomas McWilliams në Universitetin e Helsinkit, ka nxjerrë në pah ndryshimet e papritura të mitofagisë në trurin e kafshëve gjatë procesit të plakjes, dhe ofron shpresa për zhvillimin e terapisë për sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer dhe Parkinson.

Mitokondritë i furnizojnë qelizat me energji dhe janë të nevojshme për funksionimin e shëndetshëm të trupit. Kur ato dëmtohen, qelizat i largojnë ato përmes mitofagisë, një proces që është jetik për shëndetin e qelizave, sidomos ato që jetojnë gjatë, si ato të trurit.

Kur mitofagia nuk funksionon, mund të çojë në sëmundje neurodegjenerative, duke e bërë atë një objektiv të rëndësishëm për zhvillimin e trajtimeve.

Studimi ka zbuluar se mitofagia ndryshon në mënyra të papritura në trurin e kafshëve gjatë plakjes. Në një pjesë të trurit, e cila është e lidhur me lëvizjen, mitofagia u rrit ndërkohë që kafshët plakeshin.
Ndërsa në qelizat e trurit që lidhen me kujtesën, mitofagia filloi të rritej në mes të jetës, por pastaj ra dukshëm në moshë më të vjetër. Ky zbulim tregon se mesi i jetës është një periudhë e rëndësishme për shëndetin e trurit, duke sugjeruar që ndryshimet në mitofagi gjatë kësaj periudhe mund të ndikojnë në mënyrën se si plaket truri.

Një tjetër gjetje, që shkencëtarët po e konsiderojnë interesante, ishte se disa lizozome, (struktura që shkatërrojnë mbeturinat qelizore), humbasin aciditetin ndërkohë që truri plaket. Ky ndryshim është i ngjashëm me atë që është parë në modelet e sëmundjes Alzheimer, duke sugjeruar se proceset normale të plakjes mund të përkeqësohen në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative.

Studiuesit e mëparshëm, që kanë përdorur modele studimi me jetëgjatësi të shkurtër si kërpudhat dhe nematodet, kanë sugjeruar se mitofagia zvogëlohet me kalimin e kohës, duke e konsideruar si shenjë të plakjes.

Megjithatë, studimi i këtij procesi në trurin e kafshëve me jetëgjatësi të gjatë ka qenë më i vështirë për shkak të kompleksitetit që kanë indet e trurit.

McWilliams ka përdorur teknika të avancuara për të ndjekur mitofaginë në trurin e kafshëve gjatë plakjes, duke zbuluar një proces shumë më dinamik dhe kompleks se sa mendohej më parë.

“Ndonëse mitofagia zvogëlohet në speciet me jetë të shkurtër, kafshët me jetëgjatësi të gjatë, si njerëzit, janë zhvilluar për t’u përballur me plakjen ndryshe. Hulumtimi ynë sugjeron që mesi i jetës është periudhë e rëndësishme për shëndetin e trurit”, ka theksuar profesori Asociuar McWilliams.
Ekspertët kanë vlerësuar se ky zbulim sfidon idetë e mëparshme dhe mund të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e terapive për sëmundjet e trurit.

Ky studim, i publikuar në The EMBO Journal, është mirëpritur gjerësisht dhe Anna Rappe ka fituar disa çmime ndërkombëtare për punën e saj.

Ekspertët gjithashtu kanë vlerësuar se shtimi i financimit për kërkime të mëtejshme nga “Fondacioni Jane” dhe “Aatos Erkko” do të mbështesë hulumtime të tjera mbi mekanizmat autofagikë të veçantë për njerëzit.

LEXO EDHE:

Back to top button