Shkencëtarët izoluan ADN-në nga mbetjet e mumifikuara të gepardit dhe bënë një zbulim të habitshëm
Kur shkencëtarët nga Qendra Kombëtare Saudite për Jetën e Egër eksploruan shpellat në vitet 2022 dhe 2023, duke kërkuar për kafshë të egra, ata gjetën diçka të papritur - 7 gepardë të mumifikuar natyrshëm në 5 shpella në qytetin verior të Arar.
Mbetjet ishin kryesisht të paprekura, me inde të buta dhe skelete të ruajtura mirë. Analiza e ADN-së e tre prej gepardëve të mumifikuar zbuloi diçka që mund të ndihmojë në rikthimin e gepardit në natyrën e egër të Gadishullit Arabik.
Gepardët dikur jetonin në pjesën më të madhe të Afrikës dhe në pjesë të Azisë, por sot ata gjenden vetëm në 9% të gamës së tyre historike. Gepardi aziatik (Acinonyx jubatus venaticus) më parë besohej të ishte nënlloji i vetëm i pranishëm dikur në Arabinë Saudite.
Specia tani është në zhdukje, me një popullatë të vogël të egër në Iran. Gepardët u shpallën të zhdukur në nivel lokal në të gjithë gadishullin në vitet 1970.
Por, kur studiuesit analizuan ADN-në e tre gepardëve të mumifikuar, ata zbuluan se dy individët më të vjetër ishin gjenetikisht më afër nënllojes Acinonyx jubatus hecki, e njohur si gepardi i Afrikës Veriperëndimore.
Rezultatet e studimit, të botuara muajin e kaluar në revistën shkencore Communications Earth & Environment, sugjerojnë se të paktën dy nënlloje të gepardit dikur endeshin në Gadishullin Arabik.
Zbulimi mund të ndihmojë përpjekjet për rikthimin e gepardëve, pasi shkencëtarët tani e dinë se cilat linja gepardi dikur banonin në gadishull dhe kanë prova të mbijetesës së tyre të suksesshme në zonë.
“Kjo ishte jashtëzakonisht e habitshme. Ky zbulim është rasti i parë i dokumentuar i mumifikimit natyror të gepardëve, si dhe prova e parë fizike që nënllojet e gepardëve dikur banonin në Gadishullin Arabik”, tha Ahmed Al Boug, autori kryesor i studimit, ekolog dhe zëvendësdrejtor ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Jetës së Egër.
Sipas tij, përdorimi i shpellave është një sjellje shumë atipike për gepardët, gjë që e bën zbulimin dhe kontekstin në të cilin ndodhi të papritur.
Arsyeja pse gepardët hynë dhe përdorën shpellat tani po hetohet. Studiuesit nuk besojnë se kafshët e bënë këtë rastësisht ose për t’u izoluar në fund të jetës së tyre. Al Bough sugjeron që mjedisi i shpellës dhe kushtet e tij jashtëzakonisht të thata kontribuan në mumifikimin e gepardëve, shkruan CNN.








