Shkencëtarët po imitojnë xixëllonjat për të avancuar trajtimet mjekësore

Ka shumë arsye pse xixëllonjat shkëlqejnë. Ato janë një nga shembujt më të njohur të specieve biolumineshente në natyre dhe e përdorin dritën e tyre si paralajmërim për grabitqarët e mundshëm, për të identifikuar të tjera specie fluturuese që shkëlqejnë dhe sigurisht për të gjetur një partner.

Pamja e tyre ndriçuese që të magjeps është njëra anë e medaljes, ndërkohë që në anën tjetër kanë frymëzuar një ekip studiuesish ndërkombëtarë në Universitetin e Misurit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke shfrytëzuar po të njëjtin reaksion kimik që prodhojnë vezët e xixëllonjave, ekipi ka zhvilluar një pajisje mjekësore të imazherisë që ndizet kur futet brenda trupit të njeriut.

Përdorimet e mundshme të një pajisje të tillë, si tek njerëzit ashtu edhe të kafshët, janë zhvilluar dhe përfshijnë trajtimet më të mira për kancerin, diabetin apo sëmundjet infektive.

Një mjet i fuqishëm

“Ky është shembulli i parë i një aparati portativ të imazherisë biolumishente, me kosto të ulët që mund të përdoret në kafshë të mëdha jo-transgjenike siç është qeni,” – u shpreh Elena Goun, udhëheqësja e ekipit dhe profesore e asociuar e kimisë në Universitetin e Misurit.

“Lëvizshmëria dhe efektiviteti i kësaj teknologjie gjithashtu e bën këtë mjet të fuqishëm për t’u përdorur në shumë fusha të kërkimit paraklinik, kërkimit klinik dhe diagnostikimit,” – shtoi Goun.

Pra, si funksionon konkretisht?

Një xixëllonjë ndizet kur oksigjeni bashkëvepron me një enzimë të quajtur luciferase, duke bërë që maja e barkut të saj të lëshojë energji “dritë të ftohtë” në krahasim me nxehtësinë.

Në të njëjtën mënyrë, pajisja e imazherisë prodhuar nga ekipi i Universitetit të Misurit është e aftë të vlerësojë gjendjen e një organi duke zbuluar nivelet e dritës nga një reagim brenda trupit.

Sapo të futet në trup dhe të arrijë në organin e saj të synuar, pajisja lëshon një përbërës që prodhon dritë. Sasia e dritës së lëshuar do të jetë më e lartë nëse niveli i aktivitetit biologjik në organ është më i lartë (për shembull, toksiciteti i mëlçisë).

“Përdorimi i pajisjes mundëson që një organ të monitorohet pa ndikuar në aktivitetin e tij apo në reagimin fiziologjik të një pacienti, pavarësisht trajtimit që i nënshtrohet ai,” – tha Jeffrey Bryan, profesor i onkologjisë veterinare.

Treguesi i dritës së lëvizshme është i gjerë afërsisht 10 milimetra, vendoset në sipërfaqen e trupit pranë vendit ku kemi futur pajisjen dhe mat intensitetin e dritës.

Në varësi të niveleve të dritës që prodhohet, mjekët janë në gjendje të përcaktojnë sa i shëndetshëm është organi.

A është ky fundi i testeve me procedurë invazive?

Në fund të fundit, të kesh një pajisje që mund të tregojë përfundimisht nëse një trajtim po jep efekt në riparimin e një organi apo jo, mund të ketë ndikim shumë të gjerë në kujdesin ndaj pacientit, duke nënkuptuar këtu se testet e pakëndshme të zhvilluara me metodën invazive (me hapje/kirurgji) mund të marrin fund.

“Tani për tani, shumicën e kohës po kërkojmë përgjigje ndaj trajtimit duke pyetur pacientët se si ndihen dhe pastaj duke bërë teste të mëdha, invazive dhe të shtrenjta, për të parë nëse trajtimi po funksionon,” – tha Bryan.

“Ndonjëherë, kjo kërkon procedura të shumëfishta. Por, nëse mund të monitorojmë efektin e dëshiruar në një mënyrë minimalisht invazive dhe të vazhdojmë të monitorojmë progresin për një periudhë të gjatë kohore me këtë teknologji, kjo ndoshta do të zvogëlojë nevojën për testime invazive,” – shtoi ai.

LEXO EDHE:

Back to top button