Shkon në 17 numri i të arrestuarve për incidentet me përdhosjen e flamujve

Shkon në 17 numri i të arrestuarve për incidentet me përdhosjen e flamujve

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ka shkuar në 17 numri i të arrestuarve për incidentet me përdhosjen e flamujve shtetëror dhe shqiptar ditët e fundit. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se nuk do të ndalen këtu, arrestimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të incidenteve.

“Deri në këtë moment, gjithsej të privuar nga liria, janë 17 persona, një pjesë e tyre janë të mitur.. Katër të mitur në Shkup, janë privuar nga liria gjatë ditës së djeshme, dy që lidhen me veprën penale që u nda në mediat sociale ku griset flamuri shtetëror…. Dy prej tyre janë poashtu të mitur, lidhen me një ngjarje tjetër penale nga dje, ku ulet flamuri nga shtiza dhe digjet. Për të njëjtit poashtu do të ketë procedurë”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Janë arrestuar edhe tre persona për përdhosje të flamurit shqiptar në Prilep.

“Tre persona gjatë mbrëmjes së djeshme janë privuar nga liria në Prilep, që e përdhosin flamurin shqiptarë, njëri prej tyre është i mitur, dy të tjerë janë të rritur. Domethënë ata 3 persona që në mënyrë direkte marrin pjesë në ngjarje janë identifikuar, janë arrestuar dhe me udhëzim të prokurorisë do të vijojë kallëzim penal”, shtoi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Toshkovski njofton se pas marrjes së notës së protestës nga ambasada serbe dhe materialeve të siguruara, është arrestuar edhe një person i mitur nga Kumanova, i cili heq tabelën e konsullatës serbe. Është mbyllur edhe një tjetër rast në rajonin e Ohrit dhe atij të Kërçovës, ku një person ka hequr nga shtiza edhe flamurin shtetëror edhe atë shqiptar dhe siç thotë ministri, edhe ndaj tij do të ndërmerren veprimet adekuate. Për punonjësin e MPB-së që hoqi flamurin Shqiptarë në Kumanovë, zëvendësministri i MPB-së, Astrit Iseni ka konfirmuar nisjen e procedurës disiplinore.

“Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim”, u shpreh Astrit Iseni, Zëvendësministër i MPB-së.

Duke iu referuar nenit 319 të Kodit Penal, çdo akt që nxit përçarje, intolerancë ose urrejtje përmes fyerjes apo shkatërrimit të simboleve kombëtare ose fetare, është i dënueshëm me më së paku 1 vjet burg. Për 3 nga gjithsej 17 të arrestuarit, është ngritur procedurë dhe ata janë dërguar në paraburgim. Bëhet fjalë për të rinjtë që e përdhosën flamurin shtetëror. Për veprën e njejtë, ku i përfshirë ishte edhe një i mitur, prokuroria do të zhvillojë procedurë të rregullt sipas Ligjit për drejtësi për fëmijët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button