Shkup-Sofje, Osmani: Veprojmë me mençuri, jo me emocione

Gazetare: Fatlume Dervishi

Gjatë dy javëve të ardhshme, Shkupi dhe Sofja do të kenë disa takime në nivel të grupeve të punës por edhe në nivel të Ministrive të Punëve të Jashtme, shkruan Alsat.

Më 17 shkurt do të takohet grupi i punës për Arsim dhe Kulturë dhe po ashtu grupi i punës për eurointegrime, agjendë të gjelbër dhe digjitalizim. Ministri Bujar Osmani deklaroi se pozitat mes palëve mbeten akoma të kundërta por takimin e pak ditëve më parë mes përfaqësuesve të dy vendeve e quajti konstruktiv. Në takimin e radhës pas datës 20 shkurt në Shkup, të dy delegacionet do të vijnë me udhëzime të reja politike bazuar në bisedimet e mbajtura në takimin e parë më 11 shkurt në Sofje. Çështja në të cilën palët janë fokusuar është përfshirja e Bullgarëve në Kushtetutën e vendit. Osmani deklaroi se Shkupi nuk ka të drejtë të kërkojë të njëjtën gjë nga Bullgaria, që të përfshijë në Kushtetutë pakicën maqedonase që janë shtetas të Bullgarisë.

“Ne nuk kemi të drejtë t’u themi bullgarëve se si e kanë rendin kushtetues sepse këtë detyrim e kemi marrë me ndryshimet në 1999, me ndryshimet kushtetuese më 2019-ën dhe me marrëveshjen e vitit 2017. Ata janë shtetas bullgarë dhe shteti bullgar duhet të qëndrojë pas tyre ashtu siç vetëm ky shtet mund të qëndrojë pas meje. Ne nuk kemi të drejtë të qëndrojmë pas qytetarëve që nuk janë shtetasit tanë”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Por Osmani shtoi se hapja e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut për të gjitha bashkësitë tjera etnike është në përputhje me politikat e këtij shteti ndaj bashkësive etnike, për aq kohë sa kjo është kërkesë e qytetarëve të bashkësisë etnike bullgare që janë shtetas të vendit.

Shkupi zyrtar nuk e ka as në plan të reagojë për programin e televizionit publik bullgar BNT në të cilin gjatë periudhës së fundit janë publikuar materiale në të cilën Goce Dellçev prezantohet si bullgar. Osmani thotë se nuk do të veprojë me emocione.

“Ju mendoni se mua si politikan nuk më përshtatet të reagoj. Unë mundem të reagoj çdo ditë dhe të tregohem para popullit se sa jam efektiv në ato reagime. Por unë e kam një qëllim final dhe ai qëllim është që ky shtet të bëhet shtet evropian, t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët duke e ruajtur atë që është më e rëndësishme për qytetarët. Prandaj më duhet më shumë mençuri në veprime se sa emocione”, u shpreh Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Me formimin e qeverive të reja në Sofje dhe në Shkup u hap rruga për një qasje të re në negociatat mes dy vendeve, të cilat janë paraparë të zgjasin të paktën deri në gjysmën e vitit. Deri atëherë, Bullgaria nuk do të heqë dorë nga bllokada për fillimin e negociatave me BE-në. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button