“Shkupi ka avancuar në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, por jo edhe Athina”

Maqedonia e Veriut dhe Greqia besojnë fuqishëm në Marrëveshjen e Prespës. Kështu kanë konstatuar ministrat e punëve të jashtme të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Niko Dendias, gjatë takimi në Shkup. Osmani tha se pala greke i ka plotësuar dy obligimet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Prespës dhe atë, mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe atë për fillimin e negociatave me BE-në. Ai shtoi se me homologun grek Dendias kanë biseduar edhe për ratifikimin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të caktuara në parlamentin grek.

Unë hapa në këtë takim çështjen e shenjave të komunikacionit në Greqi dhe biseduam lidhur me arsyet teknike për mosplotësimin e këtyre çështjeve në parlamentin grek. Dhe u morëm vesh për mënyrat se si këto do të realizohen në periudhën e ardhshme. Lidhur me tabelat, shpjegimi është se autoritetet lokale janë ato që nuk tregojnë entuziazëm, por edhe lidhur me këtë çështje biseduam më gjerë dhe mendoj se në periudhën e ardhshme do të ketë zgjidhje”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Ndërsa ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, deklaroi se Greqia mund të jetë miku më i mirë i Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të vazhdojë. Sipas Dendias, Greqia, është e kënaqur me zbatimin e deritanishëm të saj.

Shumë hapa janë ndërmarrë, njëri prej të cilëve është heqja e tabelës para ndërtesës në të cilën ndodhemi, me emrin e mbretit Filip, babanë e Aleksandrit të Madh, sepse ne u pajtuam së bashku se atëherë paraardhësit tuaj nuk kishin mbërritur ende në Ballkan. Ata nuk kishin mundësi të luftonin nën udhëheqjen e Aleksandrit të Madh në thellësitë e Azisë. U ndryshua edhe emri i Muzeut Arkeologjik sikur edhe shenjat në pikat kufitare. Zbatimi i marrëveshjes nuk është një gjë burokratike, për këtë, ka një afat kohor”, theksoi Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Dendias po ashtu theksoi se duhet të ndalohen shpjegimet e gabuara të Marrëveshjes së Prespës të cilat e pengojnë zbatimin e saj. Gjatë vizitës në Shkup, përveç se me ministrin Osmani, Dendias takoi edhe kreun shtetëror.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button