Shoferi i autobusit të aksidentuar në Kroaci rrezikon 15 vjet burg

Mbi 20 pacientë, të lënduar nga aksidenti me autobus në Kroaci mund të lëshohen nga spitali sot dhe të nisen për në Kosovë. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod, Josip Samarxhiq tha se “dy pacientë me rrezik për jetën janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër dhe i nënshtrohet metodave të kujdesit intensiv”

Dje, në orët e paradites, shtatë operacione u kryen te të lënduarit e aksidentit të djeshëm të trafikut, ndërsa gjatë ditës, 20-25 pacientë do të lirohen për trajtim në shtëpi”, tha Josip Samarxhiq, Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se në organizim e sipër është udhëtimi për në Kosovë i të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë. Në Sllavonski Brod ndërkohë kanë udhëtuar edhe familjarë të të lënduarve dhe viktimave.

“Dy djem i kam në spital, gruaja ka lëndime në kraharor, momentalisht janë në gjendje të mirë, presim autopsinë dhe pastaj do të nisemi për në Kosovë”

 “Të gjithë janë këtu, shumica janë mirë. E falënderojmë shtetin e Kroacisë që na ka ndihmuar aq shumë”

Ndërkohë shoferi i arrestuar 52 vjeçar, shtetas i Kosovës, është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, në qarkun në Sllavonski Brod. Atij i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare, dhe ai është mbrojtur në heshtje. Ai përsëri nesër do të dalë para Prokurorisë ku do të vendoset për masën e paraburgimit. Ai dyshohet për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku, ndërsa dënimi për një vepër të tillë është deri në 15 vjet kanë njoftuar autoritetet kroate.  I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të transferohej në Kosovë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga Kroacia deklaroi se po presin të gjejnë një zgjidhje, ndërsa për kthimin e trupave të viktimave të aksidentit, Sveçla tha se kjo varet nga procedurat zyrtare që duhet të kryhen në Kroaci.

Ne jemi këtu për të respektuar ligjet e Republikës së Kroacisë, aksidenti ka ndodhur këtu, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Tani po koordinojmë që të gjithë njerëzit të kthehen në Kosovë apo në Gjermani ata që duan. Po e koordinojmë krejt situatën që t`i dërgojmë edhe trupat e viktimave në Kosovë”, pohoi, Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.

Komuna e Gjakovës është rajoni nga ku vijnë gjysma e viktimave të aksidentit në Kroaci. Flamujt e Kosovës sot u ulën në gjysmështizë. Presidentja Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.

Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit. Të dielën, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod. Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button