Shoqata Huta: Muzeu i Tetovës nuk i përfill faktet dhe realitetin e qytetit, është i mbyllur për punësimin e shqiptarëve
Shoqata Huta: Muzeu i Tetovës nuk i përfill faktet dhe realitetin e qytetit, është i mbyllur për punësimin e shqiptarëve
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Shoqata “Huta” nga Tetova me kritika në adresë të Muzeut të Qytetit për mungesë të artefakteve që pasqyrojnë realitetin në këtë qytet. Sipas përfaqësuesit të shoqatës “HUTA”, Ron Kadriu, në këtë muze madje nuk ka as përfaqësim të drejtë në aspektin e punësimeve të shqiptarëve.
“Qyteti i Tetovës është qytet me popullsi me shumicë shqiptare i cili gëzon histori dhe artefakte të ndryshme të cilat ne vazhdimisht i publikojmë në faqen tonë Muzeu Virtual i Tetovës. Mirëpo Muzeu i Tetovës këtë nuk e bën, aq më pak nuk është ndërmarrë deri tani asgjë për të pasqyruar realitetin e Tetovës. Gjithashtu në baza etnike Muzeu i Tetovës vazhdon të ketë deficit të profesionistëve shqiptarë si Historian, Etnolog dhe Arkeolog”, deklaroi Ron Kadriu, Shoqata “HUTA”.
Për temën në fjalë, ka reaguar edhe kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, i cili, është zotuar se edhe si pushtet lokal por edhe si pushtet qendror, do të angazhohet për ndryshimin e këtij realiteti që po ndodh në Muzeun e Tetovës.
“Sa i përket muzeut të qytetit që është nën ingerencë të Ministrisë, edhe aty përcaktimi yni është që të ketë reflektim edhe në promovimin që bën ai muze edhe tek të punësuarit, ku edhe përmes zëvendës ministrit do kërkojmë që të ketë edhe të punësuar arkeolog shqiptar që të reflektoj realitetin multietnik në qytet”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Nga shoqata “HUTA” kanë paralajmëruar edhe padi për muzeun e Tetovës, në rast se vazhdohet me këtë diskriminim. /Alsat.mk