Shpallet shtetrrethim i ri në Kiev

Shpallet shtetrrethim i ri në Kiev

Gazetare: Arta Tahiri

Autoritetet ukrainase kanë thënë që të paktën tetë njerëz kanë vdekur kur një qendër tregtare dhe një numër shtëpish janë goditur në rajonin Podilski në Kiev.

Kryetari i Kievit ka njoftuar për orë policore në kryeqytet deri mëngjesin e së mërkurës.

“Armiku vazhdon sulmet ndaj kryeqytetit. Ekipet e shpëtimit punuan pa ndërpre për të shuar zjarrin në lagjen Podil, ku si pasojë e bombardimeve u dogj qendra tregtare, u dëmtuan gjashtë objekte banimi. Tetë persona humbën jetën. Dy shkolla dhe dy kopshte janë dëmtuar. Për shkak të zjarreve pas sulmeve ajrore në kryeqytet dhe rajon, është konstatuar ndotje e lartë e ajrit, prandaj mos hapni dritaret, ndërsa kur të dilni jashtë mbani maska. U bëj thirrje banorëve të Kievit, të mos filmojnë apo postojnë video të nga postblloqet dhe objektet strategjike. Mos e ndihmoni armikun”, tha Vitalij Kliçko, kryetar i Kievit.

Njerëzit gjithashtu janë këshilluar që të strehohen pasi një tank 50-tonësh me gaz helmues është dëmtuar pas bombardimeve në central kimik afër qyteti Sumi, duke shkaktuar rrjedhje toksike të amoniakut.

Sulmet vijojnë edhe në qytete të tjera të Ukrainës. Harkovi është i rrethuar nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit, ndërsa sulmet ndaj këtij qyteti çdo ditë janë të pamëshirshme. Autoritetet ukrainase thonë se të paktën pesë civilë janë vrarë në bombardimet e fundit ruse.

“Ishte vërtet e frikshme. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjë, frikën për familjen time”, tha njw ushtar ukrainas.

Ndërkohë Ukraina ka refuzuar një ultimatum rus që të dorëzohet qyteti i Mariupolit, ku rreth 300,000 njerëz besohet të jenë të bllokuar. Situata atje është tejet e rëndë, pasi furnizimet ushqimore dhe mjekësore po mbarojnë.

Dhjetë milionë persona, mbi çereku i popullsisë, tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë. UNHCR tha se mbi 3 milionë ukrainas janë larguar nga shteti, ndërkaq mbi gjashtë milionë persona besohet se janë të zhvendosur brenda Ukrainës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button