Shqipëri, Astrit Patozi jep dorëheqjen si kryetar i Bindjes Demokratike

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka dhënë dorëheqjen si drejtues kësaj force politike pas rezultatit zhgënjyes që mori në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Z. Patozi në një reagim në rrjetet sociale thotë se merr përgjegjësinë e këtij rezultati dhe për këtë arsye largohet nga drejtimi i partisë së themeluar prej tij në prill 2019.

“Duke falënderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë”, deklaron ai.

Astrit Patozi shton se “askush prej nesh nuk kishte keqkuptimin se rezultati do të arrihej me një të rënë të sëpatës dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se Bindja Demokratike ishte projektuar për vetëm një palë zgjedhje”, ndaj inkurajon që pasuesit të vazhdojnë betejat politike.

“Dorëheqja ime është një akt moral përgjegjësie, por kurrsesi dorëzim. E kemi shpallur që në ditën e parë të themelimit se Bindja Demokratike nuk është një njeri, as një grup personash, e aq më pak pronë apo ndërmarrje biznesi e dikujt”, shprehet z. Patozi.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Bindja Demokratike mori në të gjithë vendin 8 238 vota ose 0.52% në rang kombëtar. Astrit Patozi ishte kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, ku BD siguroi në total 2 469 vota ndërsa vota preferenciale kishte 830.

Dorëheqja e z. Patozi është e dyta pas largimit të Jozefina Topallit nga drejtimi i partisë Lëvizja për Ndryshim. Znj. Topalli e cila mori pjesë për herë të parë në një garë elektorale me partinë e porsa formuar, u largua pas rezultatit zhgënjyes. Lëvizja për Ndryshimi mori 7 049 vota ose 0.45% në rang kombëtar.

LEXO EDHE:

Back to top button