Shqipëri, policia ndalon kandidatin për Bashkinë e Himarës

Shqipëri, policia ndalon kandidatin për Bashkinë e Himarës

Policia në Shqipëri ka ndaluar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Alfred Beleri. Ndalimi është bërë pak pas mesnatës, në kohën kur kandidati i koalicionit “Berisha-Meta” ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali në pronësi të tij.

Së bashku me kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës janë shoqëruar në polici edhe 3 persona të tjerë, anëtarë të shtabit elektoral të Belerit. Policia e Vlorës nuk ka dalë ende me një njoftim për mediat, por burime të policisë thanë se ndalimi i tij është bërë pasi dyshohet për blerje votash.

Pas ndalimit të Alfred Belerit, i cili është president i shoqatës OMONIA, organizatë politiko-shoqërore që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, reagoi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), parti që përfaqëson minoritetin grek në jug të vendit.

“E rrëmbeu policia me urdhër të Ramës. Zoti Beleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme”, tha Dule.

Ndalimi i Alfred Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke.

Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se “Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës”.

Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë.

Pas ndalimit të Belerit, Ministria e Jashtme greke reagoi duke deklaruar se ka udhëzuar ambasadoren e Greqisë në Tiranë të zhvillojë një takim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.

Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë. Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore.

LEXO EDHE:

Back to top button