Shqipëria fillon vaksinimin kundër Covid-19, një sasi dozash ndahen për Kosovën

Shqipëria filloi me vaksinimin kundër virusit korona. Kontingjenti i parë i rreth 975 vaksinave anti kovid zbarkoi në Tiranë. Në kampe të improvizuara u shpërndanë përreth tribunave të stadiumit kombëtar “Air Albania”. Kryeministri Edi Rama, i cili ndër të parët mori vaksinën, tha se BE-ja ka lënë pas dore shtetet e Ballkanit Perëndimor, kështu që u bënë të zotët e vetes për të siguruar këtë donacion. Ai tha se këto nuk ua dha Greqia, siç spekulohej, por jo zyrtarisht mësohet se këto doza u siguruan nga Polonia.

 Nëse do të qëndronim në pritje të Covax-it do të ishim akoma duke pritur dhe nuk dihet ende sot se sa do të zgjaste kjo pritje. Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i njërit prej kanaleve dypalëshe me një vend të BE-së, të cilin nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre”-tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ministrja Orgeta Manastirliu tha se plani kombëtar i imunizimit të popullsisë ka filluar që nga grupet me prioritet.

 Dhe këto grupe fillojnë me ata të cilët janë në përballje të përditshme me armikun e padukshëm që janë punonjësit e shëndetësisë, pra mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e urgjencave. Sigurisht edhe këtu ka një prioritet pasi numri i personelit tonë shëndetësor është rreth 23 mijë së bashku me personelin mbështetës”-pohoi Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë në Shqipëri.

 Shteti shqiptar nga ato pak njësi të siguruara për vete, këto ditë një sasi dozash do të nis drejt Kosovës, në mënyrë që të vaksinohet i gjithë stafi mjekësor edhe në Klinikën Infektive të Prishtinës.

Deri në fund të muajit pritet që shteti shqiptar të pranojë edhe kontingjentin e dytë të vaksinave të blera të cilat përveç Tiranës do të shpërndahen në Vlorë e Shkodër dhe do t’u jepen të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurëve kronik. Shqipëria ka siguruar 500 mijë vaksina kundër virusit korona, të cilat do të vijnë sistematikisht prej kompanisë farmaceutike Pfizerin nga Nju Jorku si dhe tjerat nga katër shtetet e Bashkimit Evropian.

 Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button