Shqipëria hap sot negociatat, Rama: Gati për anëtarësim brenda 2030
Shqipëria hap sot negociatat, Rama: Gati për anëtarësim brenda 2030
Nga Luksemburgu, në prag të mbajtjes së takimit të Këshillit të Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të mirë dhe emocionuese për Shqipërinë, e cila hap sot negociatat me unionin për një grup kapitujsh të rëndësishëm.
Teksa u angazhua se Shqipëria do të jetë gati për t’u anëtarësuar në BE brenda 2030, kreu i qeverisë u shpreh mes të tjerash se lufta në Ukrainë zgjoi dhe më skeptikun në vendet e unionit se procesi i zgjerimit duke përfshirë dhe vendet e Ballkanit e bën unionin edhe më të fortë.
“Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut jemi entuziastë që më se fundi që nisim pjesën më të vështirë të punës çka nënkupton hapjen e grupkapitujve të themelorëve që do të na bëjnë të ecim për përpara dhe do të përmbyllin brenda afatit tonë ambicioz këtë proces të negociatave dhe do ta bëjmë Shqipërinë që të ulet si e barabartë në tryezën e BE. Jemi të përkushtuar ndaj BE që nga dita e parë që i ikëm Diktaturës.
Pavarësisht situatës apo niveleve të ndryshme të vëmendjes, ne nuk kemi hequr dorë. Për ne BE është i vetmi vend ku duam të jemi. I vetmi vend që duam të lemë brezat e ardhshëm. Ky është një moment i veçantë falë dhe Putin, i cili zgjoi më skeptikun që pa që Ballkani është i nevojshëm për një Evropë më të fortë. Do të bëjmë më të mirën që kjo dritare mundësie të mos mbyllet pa ne. Kemi një mal me detyra shtëpie, por jemi në ngjitje e sipër me vullnet dhe nuk kemi dyshim që do të arrijmë atë që duhet. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Europian brenda 2030”, tha Rama.