Shqipëria mbyll 3 kapituj me BE-në, Mali i Zi avancon me ritme rekord

Sot në Bruksel, Mali i Zi kalon një tjetër etapë në negociatat me Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve negociues. Shqipëria do të mbyllë për herë të parë kapituj negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia do të hapin secila nga një klaster të ri negociatash. E njohur jozyrtarisht si “Super e marta”, kjo ditë shënon organizimin e numrit më të madh të konferencave ndërqeveritare në më shumë se dy dekada.

Mali i Zi do të mbyllë përkohësisht dy kapituj negociues, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33 në procesin e negociatave me BE-në. Shqipëria, e cila konsiderohet vendi i dytë më i avancuar në procesin e zgjerimit, do të mbyllë për herë të parë tre kapituj negociues.

“Ky është një moment historik për Shqipërinë, e cila po nis mbylljen e kapitujve negociues. Mali i Zi, që është vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit, do të mbyllë sot edhe dy kapituj të tjerë. Prandaj, kjo është një ditë për t’u festuar, por edhe një ditë për të shikuar përpara dhe për të punuar edhe më shumë, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerim

Javëve të fundit, institucionet evropiane punuan që në këtë të ashtuquajtur “Super të martë” të mbaheshin pesë konferenca ndërqeveritare. Ato u përpoqën t’i bindnin shtetet anëtare që edhe Serbia ta hapte klasterin 3 të negociatave po këtë ditë, por nuk u arrit konsensus, pasi për mbajtjen e çdo konference ndërqeveritare kërkohet miratimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Kos tha se për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, një vend kandidat duhet t’i përmbushë detyrimet e tij. Megjithatë, sipas saj, vendimi përfundimtar varet nga pajtimi i të gjitha shteteve anëtare, të cilat duhet të binden se ekzistojnë arsye të mjaftueshme për ta lejuar vendin kandidat të vazhdojë procesin e anëtarësimit.

Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim deri në fund të vitit 2027, ndërsa Irlanda vlerëson se Mali i Zi mund ta mbyllë këtë proces deri në fund të këtij viti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button