Incidenti në Kuvend/ Reagojnë partitë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Partitë politike kanë reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të djeshme në Kuvend, të cilat shënuan seancën për rikonstruimin e kabinetit qeveritar. Kryeministri Hristijan Mickoski, në fund të seancës, pak para votimit, kërkoi falje për incidentin, duke theksuar që pret që të njëjtat të mos përsëriten.
“Do të më lejoni si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve, dhe shpresoj se asnjëherë nuk do të na përsëriten” tha kryeministri, Hristijan Mickoski.
Por sipas LSDM-së, “kërkim-falja” e detyruar në një sallë të zbrazët nuk i fshin fyerjet e Mickoskit ndaj qytetarëve. Sjelljet e tilla në Kuvend sipas LSDM-së janë vetëm përpjekje për të mbuluar dështimet e Qeverisë dhe për të larguar vëmendjen nga mungesa e rezultateve.
“Ky është turp edhe për funksionin që e bart, edhe për universitetet edhe për qeverinë edhe kuvendin edhe për shtetin. Çfarë porosie u dërgon kryeministri të rinjve, studentëve e qytetarëve….3:04 Sjellje e tillë nga një kryetar qeverie, deri më tani nuk është parë as te ne e askund në Evropë 4:44 Askush nuk i frikësohet Hristijan Mickoskit. Ofendimet janë dëshmi për dobësinë dhe paaftësinë e tij. Kur nuk ka rezultate, kur nuk ka zgjidhje, Mickoski i ofendon dhe u kërcënohet deputetëve në Kuvend”- deklaroi kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
Reagim pati edhe nga ana e BDI-së, të cilët përmes një komunikate theksojnë se sulmi verbal ndaj deputetes Arbana Pasholli, pasqyron mentalitetin politik të qeverisë.
“Sulmi verbal i Ivan Stoilkoviqit ndaj deputetes Arbana Pasholli nuk është incident i rastësishëm. Ai është pasqyrë e vërtetë e mentalitetit politik që sot përfaqëson Qeveria VMRO- VLEN-ZNAM – një mentalitet që fyen, nënçmon dhe sulmon përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve dhe për partnerë i zgjedhë ata që janë pa legjitimitet, pa zë dhe pa dinjitet”- thonë nga BDI.
Seanca e djeshme në Kuvend u zhvillua me debat të nxehtë mes pushtetit dhe opozitës, ku nuk u kursyen as fyerjet dhe sulmet verbale ndërsa u shmang edhe përplasja fizike. Grupi parlamentar i LSDM-së, mbajti edhe një konferencë të jashtëzakonshme, ku akuzuan kryeministrin dhe ministrin Ivan Stoilkoviq, që gjatë kohës së debatit kanë ofenduar deputetët e saj Fatmir Bytyqin dhe Mitko Trajçuleskin. Në shenjë revolte, opozita lëshoi sallën gjatë votimit të ministrave të rinj. /Alsat.mk








